Shqipëria

50 bashki për socialistët, apo surprizë opozitare? – Kjo është pasqyra e votimeve më 14 maj


Më 14 maj, votohet vërtetë në 61 bashki të Shqipërisë për të zgjedhur drejtuesit e rinj të strukturave vendore, por sfida është e përqendruar edhe në një pozitë të përcaktimit politik, sa i takon zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Partia Socialiste e ka të qartë misionin e saj: Mbajtjen nën kontroll të sa më shumë qendrave bashkiake, mbi të gjitha ato me potenciale më të mëdha investimesh, si qendrat e qarqeve të vendit dhe zonat turistike.

Nga ana tjetër, opozita krejtësisht e përçarë, do të kërkojë surprizat e mundshme, me pretenduesit më realë koalicionin “Bashkë Fitojmë”, të drejtuar politikisht nga Sali Berisha, nën ombrellën e Partisë së Lirisë së Ilir Metës.

Në 12 qarqe, të ndarë në 61 bashki, pasqyra e kësaj beteje politiko-administrative, paraqitet kështu:

Tirana

Qarku Tiranë me 5 bashki në lojë – Socialistët kërkojnë hegjemoni, demokratët rikthimin në pushtet vendor

Pesë bashki janë në lojë për qarkun e Tiranës më 14 maj dhe prej tyre, pak shanse ka të ketë devijime të votës krahasimisht me zgjedhjet e shkuara.

Në të vërtetë, qendra e qarkut, Bashkia Tiranë, është e salduar për t’u drejtuar sërish nga Erion Veliaj, i përballë ka pesë rivalë, por real vetëm Belind Këlliçin, i cili terrenin nuk e ka shumë të favorshëm, me ndarjen e votave mes opozitës.

E vendosur duket fitorja e të majtëve edhe në Rrogozhinë, një tjetër bashki e re e qarkut të madh kryeqytetas, e cila i ka shkuar të majtëve në vitet e fundit.

Kamza, është një bashki që historikisht i ka shkuar demokratëve, por me tërheqjen e tyre nga zgjedhjet e fundit, Rakip Suli i PS-së ka drejtuar bashkinë dhe ka bërë punë me rëndësi, duke fituar edhe besimin e qytetarë. Përtej kësaj, një ndarje e demokratëve me dy kandidatë, i penalizojnë ata për të mposhtur Sulin.

Shanse më reale, PD-ja i ka në bashkitë Vorë dhe Kavajë – sërish bastione tradicionale të demokratëve. Këtu, Bashkë Fitojmë, duke qenë se garon edhe si opozitë e bashkuar, mund të rrëmbejë fitoren.

Rezultati i qarkut: PS 3-2 BF

Durrësi

Tre gara të hapura bashkiake në Qarkun e Durrësit

I gjithë qarku i Durrësit, dikur shquhej për qasjen e djathtë politike.

Mirëpo, prej vitesh, të majtët nuk diskutojnë në asnjë formë dhe mënyrë fitoren e tyre.

Me tre bashki në lojë, të majtët shkojnë për tre fitore të sigurta në themel, me kryeqendrën e qarkut, Durrësit, e cila projektohet për kryetaren aktuale, Emiriana Sako (bazuar edhe në rezultatin e një viti më parë, ku të majtët fituan).

Rindërtimi ka qenë kryefjalë për këtë qark dhe me punën e bërë nga socialistët që prej vitit 2019, besimi i qytetarëve është fituar.

Njëjtë situata edhe në Krujë dhe Shijak, ku kandidatët e shumicës parlamentare janë qartazi pretendentë për fitore.

Rezultati i qarkut: PS 3-0 BF

Elbasani

Socialistët kërkojnë 7-0 në qarkun Elbasan, demokratët luftojnë për ‘bashkinë e madhe’

Në Elbasan, fitorja e vetme që bën kuptim për socialistët, është ajo 7 me 0 në favor të tyre në të gjitha bashkitë.

Në fakt, kjo është më se e arritshme, ku dilema e vetme është shfaqet ajo e Peqinit me pesë komunat e saj, të cilat kanë anuar shpesh djathtas në hapësirën komunitare.

Sa i takon vetë Elbasanit, Gledjan Llatja nga socialistët është i epërm në betejë karshi një kandidati tepër dinjitoz, Luçiano Boçit, i cili projektohet ta humbasë bashkinë e madhe në Shqipërinë e Mesme jo me shumë ndryshore votash.

Belshi, Cërriku, Gramshi, Librazhdi dhe Prrenjasi, falë punës së bërë me “Rilindjen Urbane” dhe me zhvillimin në fshatra, nuk mendohet se do të vihen në diskutim.

Peqini, anon djathtas dhe për të marrë një 7-0, socialistëve u duhet pikërisht kjo bashki.

Rezultati i qarkut: PS 6-1 BF

Fieri

Fieri i lokomotivës agrare pret zgjedhjet në 6 bashki

Qarku i Fierit, i treti më i madh në vend, përfshin gjashtë bashki, kryesisht të majta, me dilema të pakta për qarkun.

Bashki si ajo e Fierit, Lushnjës, Divjakës, apo Patosit, janë të padiskutueshme të majta dhe shënjojnë tregues të qartë të fitores socialiste.

Në Mallakastër, në lojë futet edhe Partia zyrtare Demokratike, e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, e cila pretendon se një nga tre bashkitë që do të fitojnë në rang vendi, prej tyre është edhe ajo Mallakastër.

Por, të përçarë nga grupimi Berisha, gjasat janë të ulëta dhe sërish kjo bashki mund t’i shkojë socialistëve.

Roskoveci ndërkaq, është i diskutueshëm se ku shkon.

Rezultati i qarkut: PS 5-1 BF

Shkodra

Socialistët përballë historisë demokrate në 5 bashkitë e Qarkut Shkodër

Pesë bashkitë e qarkut Shkodër janë edhe qendrat kryesore ku koalicioni Bashkë Fitojmë pretendon fitoret më të mundshme në këto zgjedhje.

Tradicionalisht të majta, Bashkia Shkodër do të jetë një luftë e hapur, por duke u bazuar në rezultatet historike, Bardh Spahia i koalicionit opozitar, pritet të jetë favorit përballë Benet Becit të socialistëve, i cili po përdor çdo mjet të mundshëm për të fituar terren në orët e mbetura të fushatës.

Malësia e Madhe dhe Vau i Dejës, po ashtu janë bastione të djathta dhe duken si bashki favorite për këta të fundit.

Ndërsa, në Pukë dhe Fushë-Arrëz, gjasat janë që socialistët ta ruajnë pozitën drejtuese, duke parë edhe investimet e bëra.

Rezultati i qarkut: PS 2-3 BF

Kukësi

Beteja e socialistëve në qarkun Kukës për të ‘thyer’ traditën demokrate

Në qarkun Kukës ka vetëm tre bashki në lojë dhe sërish një qark verior i vendit, i cili ka qenë tradicionalisht i djathtë.

Ky është një tjetër qark, ku pritet që opozita të ketë epërsi në bashki të fituara.

Kukësi gjithsesi, kryeqendër e qarkut, pritet t’i mbetet të majtëve, për shkak të influencës që kryetari aktual, Safet Gjici, e ka në zonë dhe punës që ai ka bërë në katërvjeçarin e fundit.

Hasi dhe Tropojë ndërkohë, ka gjasë t’i shkojnë koalicionit Bashkë Fitojmë, si një opozitë jo e përçarë dhe me forca të bashkuara në këto bashki.

Rezultati i qarkut: PS 1-2 BF

Lezha

Tre bashkitë e qarkut Lezhë në luftë të hapur mes të majtës e të djathtës

Në Lezhë garohet sërish në tre bashki dhe sociliastët mund të ruajnë epërsinë e qarkut.

Kryeqendrën e rajonit, Bashkinë Lezhë, tregojnë si favorit kandidatin e socialistëve, Pjerin Ndreu, për shkak edhe të influencës që ai ka në zonë dhe punës që ka kryer në katër vjet.

Megjithatë, përtej faktit se qarku është i djathtë tradicionalisht, ka edhe një element të shtuar, ku Partia e Lirisë (ish-LSI), ka marrë gjithnjë mandate parlamentare dhe mund të ndihmojnë kandidatët e Bashkë Fitojmë të korrin sukses.

Ndaj, Mirdita mundet t’i shkojë demokratëve, ndërsa Kurbini, ku ka pasur punë të mëdha lidhur me rindërtimin, pritet ta mbajnë të majtët.

Rezultati i qarkut: PS 2-1 BF

Vlora

Qarku Vlorë dhe “polifonia” elektorale e minoriteteve nën diktatin socialist

“Polifonia” e Vlorës i këndon socialistëve në pjesën dërrmuese të qarkut dhe shtatë bashkive në garë.

Në Vlorë si kryeqendër e qarkut, të majtët kanë pasur gjithnjë fitore dhe kështu pritet të ndodhë edhe më 14 maj.

Njëjtë edhe në Delvinë, apo Sarandë.

Ndërkohë, ka bashki në këtë qark, ku ka minoritete etnike, përfshi ato në Konispol, Finiq apo Himarë.

Mbi të gjitha në Himarë, ka pasur tensione të larta lidhur me deklaratat për “helenizimin e vendit” nga kandidati i Bashkë Fitojmë, Fredi Beleri.

Retorika e kryeministrit Edi Rama, lidhur me këtë, u lidh pikërisht mbi këtë deklaratë dhe kështu kërkohet fitorja, duke goditur kundërshtarin politik.

Në Himarë, Konispol dhe Finiq pritet gjithsesi që të majtët të korrin fitore. Njësoj edhe në Selenicë, pavarësisht se ka gjasë që të djathtët të mund të kryejnë surprizën.

Rezultati i qarkut: PS 7-0 BF

Gjirokastra

Qarku i Gjirokastrës dhe përqendrimi i forcave te turizmi

Shtatë bashki janë në lojë në Gjirokastër, përfshi edhe një bashki minoritare, si ajo e Dropullit, ku pretendon fitore edhe Partia zyrtare Demokratike e Enkelejd Alibeajt.

Megjithatë, gjasat janë të vogla që në të shtatë bashkitë (Gjirokastër, Këlcyrë, Libohovë, Memaliaj, Përmet, Tepelenë dhe Dropull), të ketë ndonjë ndryshim rrënjësor prej zgjedhjeve të fundit.

Socialistët pritet të kenë sukses në të gjitha këto bashki të qarkut më të vogël të vendit në popullsi.

Rezultati i qarkut: PS 7-0 BF

Dibra

Qarku i Dibrës dhe paqëndrueshmëria politike ndër vite

Katër bashki janë në lojë në qarkun Dibër dhe ndër to, pretendimet më të mëdha demokratët i mbajnë në Bashkinë Mat.

Në Dibër, pavarësisht se tradicionalisht bashki demokrate, socialistët kanë marrë fitore me rëndësi zgjedhjet e fundit dhe pritet ta ruajnë pozitën.

E njëjta gjë edhe në bashkitë Klos dhe Bulqizë, ku sërish mendohet se të majtët do ta ruajnë formën e tyre.

Rezultati i qarkut: PS 3-1 BF

Berati

Të gjithë ‘zbarkojnë’ në qarkun e Beratit

Në pesë bashkitë e qarkut Berat socialistët kërkojnë të korrin fitore të pastër, ashtu si në disa zgjedhje të fundit në vend.

Berati, si kryeqendër, është një fortesë e palëkundur për PS-në dhe e sigurt të shkojë për të majtët, me fazën një “Rilindjeje urbane” që ka rijetësuar edhe jetën turistike të qytetit.

Në Kuçovë, Poliçan, Skrapar dhe Urë Vajgurore, pavarësisht se kandidatët e koalicionit Bashkë Fitojmë kryesisht mbajnë peshën e drejtuesit politik Ilir Meta dhe forcës së tij elektorale, nuk mendohet se do të kenë fitore.

Rezultati i qarkut: PS 5-0 BF

Korça

Gjashtë bashki në lojë për qarkun Korçë

I fundit qark, ai i Korçës, e ka treguar se ka anuar majtas në gjithë vitet e pluralizmit politik.

Dyshime të vogla mund të ketë në një bashki të luhatur, si ajo e Pogradecit, por sërish me pak gjasë për kthesë politike.

Në Korçë, Pogradec, Devoll, Kolonjë, Maliq, ashtu si në bashkinë e vogël të minoritetit maqedonas, Pustec, pritet gjithsesi që PS-ja të ruajë avantazhin.

Rezultati i qarkut: PS 5-0 BF

Kështu, në vija tërësore, është e qartë se sërish, luftës të majtët e kanë me veten dhe maksimizimin e votave të tyre.

Ndërsa, të djathtët (Koalicioni Bashkë Fitojmë), do të përpiqet të tregojë dhëmbët, duke marrë sa më shumë bashki të jetë e mundur në drejtim dhe për të reflektuar se kush opozita e vërtetë është, me një çështje të Partisë Demokratike ende të hapur dhe me një Sali Berishë, i cili prej të shumtëve shihet si i perënduar politikisht, por që veten e përcjell si një optimist vital i rrjedhës politike shqiptare.

Po ashtu, gara për Këshillat e Bashkive, është interesante në terma konkretë, për të parë se sa pushtet, do t’i rikthehet në tryezë opozitës, sa i takon pushtetit vendor, i cili në 100%, në mandatin e fundit, ka qenë në duart e PS-së.

Rezultati tërësor i zgjedhjeve: PS 50-11 BF

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore