Shqipëria

Qarku i Dibrës dhe paqëndrueshmëria politike ndër vite


Kur vjen puna te Qarku i Dibrës, çka e karakterizon më së shumti është ruajtja e traditave dhe bukuritë natyrore, veçanërisht ato të Malit të Korabit.

Por, si një prej qarqeve kufitare të vendit, është hasur vazhdimisht me mungesë të vëmendjes nga qeverisja qendrore.

Dy veprimtaritë ekonomike kyçe në të cilat mbështetet Qarku i Dibrës janë bujqësia dhe blegtoria. Megjithatë, mungesa e infrastrukturës dhe investimeve nuk i ka çuar përpara as këto dy degë të ekonomisë lokale.

Qarku përbëhet nga katër Bashki, ajo e Dibrës, e Bulqizës, Klosit dhe Matit. Në dy prej tyre, respektivisht në Bashkinë e Dibrës dhe të Bulqizës, paqëndrueshmëria politike ka qenë shpeshherë problem shtesë.

Qendra e qarkut është qyteti i Dibrës.

Problemet më madhore me të cilat përballet çdo ditë e më shumë qyteti përfshijnë uljen e ndjeshme të numrit të popullsisë, rritjen e papunësisë dhe mungesën e theksuar të infrastrukturës.

Probleme që nuk kanë marrë zgjidhje sot e kësaj dite paçka premtimeve elektorale.

Për zgjedhjet e 14 majit, kandidati që do të garojë nën siglën e Partisë Socialiste është Rrahim Spahiu, kryetari aktual i bashkisë që prej një viti.

Ai e mori këtë detyrë pas zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit 2022.

Spahiu, deri në vitin 2020, nuk ka pasur angazhim publik politik. Profili i tij ka qenë deri asokohe ai ekonomik.

Kurse kandidati kundërshtar nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” është Ismail Uka, për të cilin një nga arsyet pse ka ndërmarrë këtë hap është edhe projekti për të ndërtuar HEC-in e Skavicës, të cilin ai e quan “ogurzi”.

Zgjedhjet e 6 marsit nuk kanë qenë dinamika e vetme e bashkisë.

Në harkun kohor të shtatë viteve, Bashkia Dibër ka ndërruar pesë kryebashkiakë, nga të cilët tre kanë qenë të zgjedhur dhe dy të tjerët të emëruar.

E paçka të gjithave, PS-ja ka mundur ta mbajë këtë bashki për vete që prej vitit 2015. Ndryshe nga më parë, kur konsiderohej bastion i Partisë Demokratike.

Në vitin 2015, me afro 500 vota në avantazh, Bashkinë Dibër e mori socialisti Shukri Xhelili. Por ai nuk rezistoi gjatë pasi skandali seksual ku u përfshi një vit më vonë çoi në shkarkimin e tij nga detyra.

U mbajtën sërish zgjedhje dhe vendin e tij e mori Muharrem Rama, sërish i PS-së.

Socialistët, edhe në zgjedhjet e vitit 2017, vijuan të dominonin. Ndërkohë, PD-ja ra në nivelin më të ulët historik të votave.

Pastaj, i erdhi radha lënies së mandateve në Kuvend nga ana e opozitës dhe braktisjes së zgjedhjeve lokale në vitin 2019.

Si në gjitha bashkitë e vendit, mungesa e opozitës në zgjedhje, bëri që bashkia të merrej sërish nga PS-ja.

Dionis Imeraj mori i vetëm afro 13 mijë vota. Edhe Imeraj dhe dorëheqjen nga posti i kryebashkiakut. Kësaj here arsyeja ishte synimi i tij për të marrë një mandat në parlamentin e ri nën radhët e PS-së. Por i renditur i treti, ai nuk mori në këmbim asgjë. PS-ja arriti të merrte vetëm dy mandate.

Kështu, zgjedhjet e 25 prillit 2021, risollën në skenë PD-në, e cila siguroi tre mandate, me shumicë votash në Dibër.

Ndërkohë, problemet e Dibrës rëndohen edhe më shumë në Bulqizë.

Paçka se është zona më e pasur minerare në vend, njëherazi është një nga më të varfrat.

Atje ka nevojë urgjente për investime në infrastrukturë, atë rrugore, në ujësjellës apo në kanale vaditës pasi gati 75 për qind e popullsisë jeton në fshat.

Ndryshe nga çka ndodhur deri më tani me dominimin e kandidaturave nga radhët e burrave, në këto zgjedhje atje do të garojë edhe një grua.

Është Festime Mjeshtri nga PS-ja, e cila është angazhuar prej vitesh në politikë. Më së shumti në institucione shëndetësore, e angazhuar me gratë në luftën kundër kancerit të gjirit dhe dhunës në familje. Ajo është aktualisht drejtoreshë e Spitalit të Bulqizës.

Përballë saj është Naim Gazidede, i përzgjedhuri i Enkelejd Alibeajt. Ai ka qenë për tre mandate Kryetar i Këshillit të Qarkut Dibër.

Po ashtu ka qenë Kryetar i PD-së Dega Dibër në vitet 1999-2006 dhe në vitet 2009-2014. Dhe është rizghedhur sërish në vitin 2018 e deri më tani.

Kurse nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” është përzgjedhur Dëfrim Fiku.

Por edhe në Bulqizë nuk ka qenë e qetë situata politike.

Ish-kryebashkiaku Lefter Alla është vënë në pranga për llogari të SPAK-ut. Ndaj tij rëndon akuza e korrupsionit dhe abuzimit me tenderat. Dhe kjo nuk është e vetmja arsye pse ai ka shkuar në SPAK.

Vite më parë, Allës iu publikua një video me akuzën se konsumonte lëndë narkotike. Lidhur me videon, SPAK nisi hetimet dhe e mori në pyetje.

Pas disa muajsh hetime, SPAK i pushoi ato me pretendimin se nuk ekzistonte fakti penal për të akuzuar Allën, kjo pasi ai iu nënshtrua testit të drogës nga ku doli negativ.

Asokohe, SPAK doli në konkluzionin se filmimi nuk ishte marrë drejtpërdrejtë nga pajisja regjistruese, por ishte regjistruar me aparat celular nga ekrani i një kompjuteri.

Ndaj, nuk mund të përcaktohej qartë data dhe ora reale e regjistrimit. Po ashtu nuk mund të identifikoheshin personat që shfaqeshin në të.

E pavarësisht të gjithave, si në çdo bashki tjetër të vendit, edhe ajo e Bulqizës duhet të vendosë për drejtimin e ri më 14 maj.

Mbetet për t’u parë se sa të qëndrueshme do të jenë zgjedhjet e reja dhe krerët e bashkive përkatëse të qarkut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore