Lajme

Kurti: Rasti i Sadik Durakut tregon se Serbia vazhdon të rrëmbejë shqiptarë


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka bërë homazhe tek varrezat e martirëve të dëshmorëve të kombit në Çabrat të Gjakovës ka thënë se Serbia vazhdon të rrëmbejë shqiptarë – duke përmendur rastin e Sadik Durakut, i cili është arrestuar nga Serbia me pretendimin se “ka kryer krime lufte”.

“Serbia vazhdon të rrëmbejë shqiptar siç ishte rasti para më pak se një muaji me Sadik Durakun, i cili teksa po qarkullonte nëpër Serbi si një vend transit, meqenëse ai jeton në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke qenë nënshtetas i të dyjave, u kap dhe po mbahet peng në Serbi”.

Tutje ai ka thënë se të gjitha këto varreza tregojnë për gjenocidin që ka ushtruar Serbia ndaj Kosovës dhe qëllimet që ka pasur për shfarosje të shqiptarëve, por që ngjarje të ngjashme më s’mund të përsëriten.

“E kemi ushtrinë e Kosovës, e kemi Policinë e Kosovës e cila na mbron anembanë dhe e cila nuk do të lejojë që kurrë të përsëritet çkado e ngjashme, pavarësisht se fqinji ynë verior”, ka deklaruar ai nga Gjakova.

Edhe pas 25 vitesh, Kurti pohoi se ky shtet as nuk është penduar e as s’ka treguar keqardhje për krimet e kryera.

“Jo vetëm që e pamundësojnë të vërtetën dhe drejtësinë, po në të njëjtën kohë e vazhdojnë avazin e vjetër në kohëra të reja dhe vazhdojnë me pengmarrje të shqiptarëve thua se jemi në kohën e luftës”.

Së bashku me shumë gjakovarë, ai tha se ishte edhe vetë “rob lufte”.

“Njëherë i burgosur politik, po mandej rob lufte që u transferuam në Serbi. Njësoj po vazhdon edhe pas 25 vjetëve që shqiptarët të mbahen rob lufte atje siç është rasti me Sadik Durakun, për të cilin ne vazhdojmë që të kërkojmë bashkimin me popullin tonë dhe trysninë ndërkombëtare mbi Serbinë për lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht”.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, janë vlera të pamohueshme të shtetit e të kombit tonë, mbi të cilat ne vazhdojmë që të ndërtojmë të ardhmen tonë të ndritshme për brezat që do të vijnë”, ka thënë ai.

Më 19 prill, Gjykata e Lartë për Krime Lufte në Serbi ia kishte caktuar një muaj paraburgim të premten një Sadik Durakut, shtetas i Kosovës me dyshimin se i njëjti “ka kryer krime lufte”.

Nga MPJD, u tha se përfaqësuesi i zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, i kishte dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për ta marrë informacionet rreth arsyeve të arrestimit të Durakut, si dhe ofrimin e detajeve tjera relevante përkatëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore