Kosova

Një muaj paraburgim për një kosovar të ndaluar në Serbi, nën dyshime për krime lufte


Pikë kalimi kufitar në Horgash.

Gjykata e Lartë për Krime Lufte në Serbi ia ka caktuar një muaj paraburgim të premten një Sadik Durakut, shtetas i Kosovës me dyshimin se i njëjti “ka kryer krime lufte”.

Lajmin është konfirmuar nga Ministria e Jashtme dhe Diasporës, e po ashtu nga familjarë të tij për Radio Evropën e Lirë.

“Pas arrestimit, Durakut i është komunikuar nga autoritetet serbe se është i ngarkuar me pretendimet për kryerje të krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë më 1999. Ndaj tij pretendimet për kryerje të krimeve të luftës i ka ngritur Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit”, tha MJPD.

Nga MPJD, u tha se përfaqësuesi i zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për ta marrë informacionet rreth arsyeve të arrestimit të Durakut, si dhe ofrimin e detajeve tjera relevante përkatëse.

“Ambasadori Jashari po ashtu ka komunikuar me përfaqësitë diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, të cilët i ka njoftuar lidhur me rastin”.

Po ashtu, ky lajm është konfirmuar edhe nga vëllai i tij, Avdyl Duraku, i cili ka thënë se gjendja shëndetësore e tij është “e rëndë sepse ai i ka dy stenta të vendosura në zemër”.

Ndërsa nga ana e avokatit mbrojtës është konfirmuar se atij gjatë kohës së mbajtjes i është dhënë nga autoritetet e burgut terapi përkatëse.

Më herët të premten, Avdyl Duraku tha për Radion Evropa e Lirë se Sadiku, teksa po udhëtonte nga Britania e Madhe për në Kosovë, më 16 prill rreth orës 22:00 ishte ndalur në pikën kufitare në Horgosh, që lidh Serbinë me Hungarinë.

“Sipas avokatit, ai është arrestuar nën akuza se ka kryer krime lufte kundër popullatës serbe”, tha Duraku.

Sipas vendimit të Drejtorisë së Policisë në Kikindë për ndalimin më 17 prill, Sadik Durakut i ishte caktuar fillimisht masa e ndalimit prej 48 orësh pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”, dhe se ekziston dyshimi që “së bashku me persona të panjohur gjatë vitit 1999, në zonën e komunës së Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrahur, ngacmuar fizikisht dhe mendërisht dhe ka grabitur popullatën civile”.

Por, që nga familjarët e tij është thënë se këto akuza nuk qëndrojnë pasi Sadik Duraku para luftës së vitit 1999, ka jetuar me familjen në Angli.

Më 17 prill, Serbia i ndaloi dhjetëra autobusë me rreth 1 mijë e 500 kosovarë për më shumë se 20 orë në pikat kufitare të saj me Kroacinë dhe Hungarinë.

Po ashtu, u ndaluan edhe dhjetë zyrtarë policorë, në mesin e të cilëve edhe një zëvendësdrejtor të Policisë së Kosovës.

Që të gjithë u liruan deri më 18 prill.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore