Shqipëria

Fieri i lokomotivës agrare pret zgjedhjet në 6 bashki


Kur shtrohet çështja në fuqinë e prodhimit të frutave dhe perimeve në vend, qarku i vetëm, i cili i mund të gjithë, thuajse edhe së bashku, është ai i Fierit, me në përbërje gjashtë bashki, dy prej të cilave (Divjaka dhe Lushnja), të pakapshme në agrikulturë.

Si qark, Fieri ka numrin e tretë më të lartë të popullsisë në vend, duke rezultuar gjithnjë si një bastion socialist, ku shumicën e bashkive i kanë marrë gjithnjë të majtët.

Bashkia kryesore është ajo e Fierit, ku historikisht të majtët kanë dalë fitues.

Për ta, garon sërish kryetari aktual, Armando Subashi, i cili është edhe vendali dhe gëzon pëlqimin e qytetarëve.

Opozita ndërkohë është e përçarë në fushatë, për shkak të angazhimit të dy fronteve: Partisë Demokratike dhe koalicionit Bashkë Fitojmë.

Për PD-në zyrtare me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeajn, do të jetë në betejë Eriselda Çelaj, ndërsa për kampin Berisha me koalicionin Bashkë Fitojmë, Evdar Kodheli.

Një duel do të jetë ai i Bashkisë Lushnjë, ku kryetarja aktuale socialiste, Eriselda Sefa, do të kërkojë nga elektorati konfirmim.

Në opozitë, vetëm një front, ai i Bashkë Fitojmë me Eduart Sharkën.

Lushnja ka edhe specifikën e një kryetari socialist të arrestuar së fundmi, Fatos Tushe, i cili nën akuza për përfitime të jashtëligjshme me tenderët publikë, mbetet në burg. Nëse kjo do të ndikojë tek elektorati, duhet parë.

Divjaka ka qenë për tre mandate e drejtuar nga Fredi Kokoneshi i socialistëve dhe në harkun e 12 vjetëve, ka parë një kapërcim të madh në bujqësi, ku është bërë edhe bashkia me më shumë prodhime në vend.

Në pamundësi për të garuar për një mandat të katërt, vendin e Kokoneshit në fushatë do ta marrë Josif Gorrea, ndërsa ka opozita ka vetëm një rival, Aurel Malkon e Bashkë Fitojmë, i cili shanset i ka të ulëta për të zhbërë hegjemoninë e majtë në Divjakë.

Mallakastra është një ndër të paktat bashku, ku Partia Demokratike e Alibeajt, mendon se ka shanse për fitore, me kandidatin Agron Kapllanaj.

Sheshin e opozitës ai e ndan me Resmi Shanajn e koalicionit Bashkë Fitojmë, ndërsa për socialistët, garon kryetari aktual, Qerim Ismailaj, i cili përtej akuzave se ka pasur probleme me formularin e dekriminalizimit, do të jetë me vendim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, pjesë e garës.

Patosi është një tjetër bashki ku demokratët brenda qarkut Fier mund të korrin rezultat të mirë, veçse janë të ndarë në dysh…sërish.

Për PD-në garon Pranvera Rizaj dhe për Bashkë Fitojmë, Safije Alushaj, me përballë socialistin Fation Duro.

E fundit ndër bashkitë, është Roskoveci, me veçse dy kandidatë në garë dhe me shpresë për Majlinda Bufin, se do të rikonfirmohet në detyrë.

Nga opozita, e sfidon kandidati i Bashkë Fitojmë, Erdit Hazizaj.

Çfarë mbetet gjithsesi për t’u parë, është edhe performanca e drejtuesit të ri të qarkut për socialistët, Taulant Balla, i cili më parë ka arritur rezultate të larta në Elbasan, duke i dhënë socialistëve fitore edhe 7-0 me zero në bashkitë e qarkut të Shqipërisë së Mesme.

Do të ketë një 6 me 0 në Fier me ardhjen e Ballës?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore