Lajme

Të gjithë ‘zbarkojnë’ në qarkun e Beratit


Një nga qarqet më të vogla të Shqipërisë, por që po përpiqet të luftojë një fenomen që e ka ndjekur në çdo zgjedhje.

Bëhet fjalë për Beratin, i cili që prej 2013-s ka dërguar në kutinë e votimit gjithmonë e më pak qytetarë, duke u kthyer në qarkun me numrin më të madh të atyre që largohen.

Por, kjo duket se ndryshoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku votuan mbi 85 mijë banorë, një shifër e rritur lehtshëm.

Ndryshe nga hera e fundit, qytetarët më 14 maj do të votojnë për të parin e tyre, të cilit do t’i japin një mandat katër-vjeçar në krye të Bashkisë.

Në Berat forcat lokale pranë Partisë Socialiste (PS) kanë zënë rrënjë prej dekadash. PS-ja ka dominuar gati në të gjitha bashkitë dhe ka marrë rezultate të thella zgjedhore.

Berati është në fakt qarku që i dha Partisë Demokratike rezultatin më të ulët historik, atë të vitit 2017.

E ndoshta kjo është edhe një nga arsyet se pse mazhoranca zgjodhi t’i besojë ekipit aktual në pesë bashkitë e qarkut: Berat, Kuçovë, Poliçan, Skrapar dhe Dimal.

Kështu, Ervin Demo në Berat do të kërkojë një mandat të dytë në krye të Bashkisë.

Këtë herë fokus i kandidatit socialist do të jetë “ndërtimi i një qyteti të përshtatshëm për të pritur fluksin e turistëve”, pasi sipas tij pritet të kapë shifra tepër të larta.

Larg nga turistët e Demo-s është pozicionuar kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Zija Ismaili, i cili si premtim kryesor të fushatës ka paraqitur “luftën ndaj ndotjes”.

Partia Demokratike e Enkelejd Alibeajt ka zgjedhur të mos paraqesë asnjë kandidat për Beratin.

Por ajo do të kandidojë në dy bashki të qarkut: Dimal dhe Kuçovë. Të dy emrat e propozuar nga PD-ja vijnë nga baza e selisë blu.

Dritan Sula në Dimal është kreu aktual i degës demokratike aty dhe Ilirjan Koxhaj në Kuçovë sërish është drejtues i fraksionit blu.

Përballë këtyre dy emrave, koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka zgjedhur të sjellë: Gentian Meçin (Dimal) dhe Lefter Maliqin (Kuçovë).

Ky i fundit është një nga emrat e paktë që Partia e Lirisë (Ish-Lëvizja Socialiste për Integrim) ka sjellë në zgjedhjet lokale.

Nuk është çudi se pse partia e Ilir Metës ka zgjedhur të kandidojë në Berat me dy propozime.

Nga një mandat që LSI-ja mori në zgjedhjet e vitit 2009, ajo kaloi në dy mandate në vitin 2013, dhe në 2017-n u bë forcë e dytë duke e lënë Partinë Demokratike me vetëm një mandat.

Ndonëse kjo ndryshoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku humbi mandatin për 77 vota duke dalë bosh.

Ndoshta këtë herë me Maliqin, Partia e Lirisë do të tentojë të ndryshojë “frymën” dhe të dalë nga stanjacioni.

Përballë Maliqit, mazhoranca ka konfirmuar Kreshnik Hajdarin, i cili në vend që të fitonte vëmendjen për programin elektoral, u bë “top” për kërkesat në KQZ.

Kundërshtarët e kanë akuzuar si person që ka pasur përballje me drejtësinë madje edhe dënime.

Për këtë arsye KQZ vendosi që emrin e tij ta dërgonte për verifikim të thelluar në Prokurori.

Adriatik Zotkaj në Poliçan është një nga socialistët “e grupit të vjetër”, i cili e drejton bashkinë që prej vitit 2004, kur fitoi mandatin e tij të parë.

Përballë, Zotkaj do të ketë kandidatin e koalicionit, Behaj Xhaferaj, i cili nuk pati asnjë kundërshtar në primaret e zhvilluar nga “Bashkë Fitojmë”.

Meta nuk ka hequr dorë as nga Skrapari, për të cilin propozoi që të garonte Eugen Mustafallari, që vjen nga radhët e Partisë së Lirisë.

Ndërkohë Adriatik Mema i mazhorancës e mori zyrtarisht drejtimin e bashkisë së Skraparit në 2019, teksa ishte i vetëm në garë pasi opozita bojkotoi zgjedhjet dhe LSI-ja dorëzoi pa garë një nga bashkitë që drejtonte.

Por pavarësisht “aktivizimit” të Partisë së Lirisë nga kampi rozë nuk ka pasur shqetësime për “fitoren e zgjedhjeve”.

Aq “rehati” kanë treguar socialistët, saqë i vetmi problem i shprehur nga drejtuesi aktual politik i mazhorancës atje, Bledi Çuçi, është gjendja civile e Demos, të cilit i kërkoi të mos martohej edhe katër vite të tjera dhe të vazhdonte përkushtimin ndaj qytetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore