Shqipëria

Qarku Vlorë dhe “polifonia” elektorale e minoriteteve nën diktatin socialist


Në Qarkun e Vlorës numri me fat prej shtatë bashkish i ka buzëqeshur prej kohësh Socialistëve në historikun e tyre zgjedhor.

Fitoret e tyre të njëpasnjëshme, e kanë kthyer këtë qark në një terren të njohur si bastion i majtë, ose edhe në aleancë brenda të majtës.

Qarku i Vlorës është një nga polet kryesore të zhvillimit dhe një nga nyjet kryesore turistike natyrore, kulturore dhe historike të vendit.

Vlora është qyteti kryesor i qarkut, qyteti i flamurit, nga ku mori pikënisjen edhe formalizimin shteti shqiptar.

Qendra të tjera urbane të rëndësishme në këtë qark janë: Saranda, Himara, Delvina, Selenica, Konispoli dhe Finiqi, me këta të fundit që janë qendër e minoritetit etnik grek në Shqipëri.

Në vitin 2017, Qarku i Vlorës numëronte 110 mijë e 760 votues ose 35.9 për qind, ndërsa në vitin 2021 u numëruan 105 mijë e 965 votues ose 33.3 për qind.

Rënia në numrin e votuesve në nivel qarku me 4 mijë e 808 vota rezulton të jetë krijuar kryesisht në bashkitë Finiq me 2 mijë e 138 votues më pak, në bashkinë Himarë me 1 mijë e 647 votues më pak.

Në zgjedhjet vendore të 14 majit, në qytetin e Vlorës do të jenë përballë njëri-tjetrit dy kandidatët respektivë nga mazhoranca qeverisëse dhe koalicioni i bashkuar opozitar “Bashkë Fitojmë”: Ermal Dredha (PS) dhe Hysni Sharra (BF).

Edhe pse kandidati Hysni Sharra vjen nga një familje e shquar patriotike në qytetin bregdetar kjo bashki nuk pritet të prodhojë asnjë surprizë.

Partia Demokratike nuk e administron Bashkinë e Vlorës që prej vitit 1997, kohë kur drejtohej nga Gëzim Zile, përfaqësues demokrat dhe një intelektual i shquar.

Në krahasim me zgjedhjet e vitit 2017 bashkia e Vlorës numëroi më tepër votues, saktësisht në vitin 2017 numëroheshin 59 mijë e 510 votues ndërsa në vitin 2021 u numëruan 61 mijë e 54 votues.

Sarandë

Herën e fundit kur Partia Demokratike shënoi sukses elektoral në qytetin e Sarandës ishte viti 2007.

Në zgjedhjet vendore të 14 majit, socialistët kanë vendosur të mos e rikonfirmojnë Adrian Gurmën.

Kujtojmë që ky i fundit, u emërua në vitin 2019 me zgjedhje pa garë.

Në vend të tij, socialistët kërkojnë mandatin e tyre të katërt radhazi me Oltion Çaçin, një administrator biznesi turistik.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” synon ta sfidojë me Ardit Çikulin, një ekonomist i arsimuar në Greqi dhe që ka punuar në sektorin financiar në qytetin bregdetar.

Në garë janë edhe Skënder Muço, një jurist dhe sportist, i cili garon për Partinë Demokratike zyrtare si dhe Gjergji Mërkuri, i cili kandidon si i pavarur.

Në Sarandë ka 48 mijë votues të regjistruar dhe në garën e 14 majit marrin pjesë gjashtëmbëdhjetë parti, të cilat kërkojnë ulëse në Këshillin Bashkiak me 31 anëtarë.

Himarë

Në Himarë, Jorgo Goro garon në zgjedhjet e 14 majit 2023 për mandatin e tij të katërt.

Përballë tij garon Dhionisios Alfred Petro Beleri, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Beleri ka garuar për PBDNJ-në në zgjedhjet e vitit 2015 dhe fitoi 27 për qind të votave.

Pjesëmarrja në votime ra në vetëm 26 për qind në zgjedhjet e vitit 2021, vetëm 5 mijë e 900 votues – një nga nivelet më të ulëta në vend.

Ndonëse socialistët me të vërtetë kanë fituar 59 për qind të votave më 2021, Himara është një bashki e vogël me numra të vegjël.

Finiq

Në Finiq, nënkryetari i Bashkisë së Sarandës, Romeo Çakuli garon për postin e kryebashkiakut për partinë Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, MEGA.

Kjo e fundit, e kontrollon këtë bashki që nga viti 2019 në aleancë me Partinë Socialiste.

Përballë tij janë dy kandidatë, Leonidha Papa nga Partia Demokratike dhe Leonidha Hristo nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Hristo është kandiduar nga partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila është në aleancë me koalicionin opozitar.

Hristo ka qenë më parë kryetar i bashkisë Finiq në vitet 2015-2019 për palën tjetër, si përfaqësues i partisë MEGA, ndërsa tani ka ndryshuar krah duke kandiduar për PBDNJ-në dhe opozitën.

Ndërsa Leonidha Papa ka qenë më herët kryetar i organizatës Omonia, por tani kryetari pasardhës duket se mbështet koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

Ndarja e votave mes të dyve mund të ndihmojë partinë MEGA të vijojë të kontrollojë këtë bashki.

Në listat zgjedhore të bashkisë Finiq gjenden 31 mijë votues.

Delvinë

Në këtë zonë, 15 mijë votues kanë ndryshuar nga mbështetja masive për demokratët në mbështetje goxha të lartë për socialistët.

Bashkia e Delvinës u drejtua nga Rigels Balili, i cili ishte kandidat i LSI-së për koalicionin ASHE, ndërsa në zgjedhjet pa garë të vitit 2019 u fitua nga Majlinda Qilimi, me 97.5 për qind të votave.

Në garë për këtë vit, përballë njëri-tjetrit do të jenë dy inxhinierë.

Socialistët garojnë këtë vit me Besmir Velin, një inxhinier i Teknologjisë së Informacionit që ka punuar në komisariatin e Policisë së Delvinës.

Përballë tij, Ilir Mehmeti, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, me profesion inxhinier dhe me eksperiencë pune në institucione të ndryshme të Delvinës.

Selenicë

Në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, socialistët arritën të rrëmbejnë 58 për qind të votave në territorin e kësaj bashkie për zgjedhjet parlamentare të Qarkut Vlorë.

Në zgjedhjet vendore, kandidati Nertil Bellaj garon për Partinë Socialiste.

Ai ka punuar më parë si drejtor në Agjencinë Kombëtare të Ushqimit në Vlorë si dhe në ndërmarrjen e naftës në Gorisht.

Përballë tij, do të jetë Leonard Rakipaj nga koalicioni Bashkë Fitojmë, i cili është diplomuar në ekonomi në Universitetin e Vlorës dhe ka punuar në biznes privat.

Konispol

Në cepin më jugor të Shqipërisë, 11 mijë votues do të vendosin për fatin e kësaj bashkie të vogël.

Në garë për postin e kryebashkiakut janë Ergest Dule (PS) dhe Fatmir Shero (BF).

Pjesëmarrja në zgjedhje në këtë bashki ka qenë rreth 50 për qind.

Socialistët kanë pasur kontrollin në Bashkinë e Konispolit, pothuajse vazhdimisht, me përjashtim të mandatit 2011-2015, kur demokratët fituan Konispolin.

Kjo bashki ka pasur për faktor në të shkuarën PBDNJ-në dhe MEGA-n, parti që garojnë, njëra në favor të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe tjetra në favor të PS-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore