Lajme

Butikofer: BE-ja mos të lejojë që Serbia të pengojë anëtarësimin e Kosovës në KiE


Reinhard Butikofer

Reinhard Butikofer, deputeti gjerman nga radhët e “Të Gjelbërve” në Parlamentin Evropian (PE), nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, kërkoi nga Bashkimi Evropian (BE) që të mos e lejojë Serbinë të bllokojë rrugën e mëtejshme të Kosovës drejt Këshillit të Evropës.

“Do të ishte e tmerrshme për zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, nëse BE-ja do ta lejonte Serbinë të bllokonte anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërkohë që vetë Serbia fillon udhëtimin drejt BRICS. Udhëheqësit e BE-së duket se janë duke fjetur! Zgjohuni! Na duhet një kthesë në [dialogun] Serbi – Kosovë!”, shkroi eurodeputeti gjerman.

Reagimi i Butikofer vjen pas konfirmimit nga Gjermania dhe Franca se në kontekstin e rrugës së Kosovës drejt Këshillit të Evropës, vendi i vogël ballkanik duhet të bëjë përparim të shpejtë dhe të pakthyeshëm drejt themelimit të një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme evropiane, ndërsa vendimi përfundimtar është në dorën e Komitetit të Ministrave të Jashtëm – organi vendimmarrës i organizatës – i cili do të mblidhen në mes të majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore