Gjykata Speciale

Abazi në Speciale: Kosova s’ka pasur dhe s’ka as pas 25 vjetëve gjykatë ushtarake


Nuredin Abazi.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka nisur dëshminë dëshmitari i 59-të, i cili është ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nuredin Abazi, ai është duke u intervistuar nga avokati kryesor i ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaci, Luka Misetiç, ai fillimisht është pyetur për themelimin e një gjykatë ushtarake.

Abazi, sqaroi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, asnjëherë s’ka pasur gjykatë ushtarake.

Këtë ai e ka arsyetuar duke thënë se për krijimin e një gjykate të tillë duhet të jenë kushte të veçanta, teksa theksoi se as pas 25 vjetësh Kosova s’ka gjykatë ushtarake.

Ndërkaq, është pyetur edhe për takimet që ka pasur me Musë Kulollin, i cili ka qenë ish polic i Jugosllavisë në atë kohë.

Pjesë nga intervistimi në Speciale.

Misetiç: A të kujtohet ndonjëherë që të jetë bërë ndonjë diskutim në ndonjë moment gjatë luftës për themelimin e një gjykate ushtarake?

Nuredin Abazi: Asnjëherë s’ka pasur gjykatë ushtarake, as që është krijuar ndonjëherë ndonjë gjykata ushtarake me aq sa di unë. Gjykatë ushtarake s’ka pasur askund në Kosovë, sepse për themelimin e gjykatës ushtarake janë dashur kushte të veçanta dhe kemi qenë të pazotë ta krijojmë një gjykatë të tillë pasi që ofensivat s’na kanë lejuar që ta qojmë kokën, e të mendojmë diçka rreth asaj.

Përveç se të mbrohemi dhe të marrim pjesë në aksion. Gjykata ushtarake as sot s’ka Kosova pas 25 vjet nga lufta e lerë më në atë kohë.

Misetiç: Tani, do të ju pyes për dëshminë lidhur me policinë ushtarake. Ju i thatë ZPS-së që me sa keni ju dijeni e gjithë policia ushtarake ishte pjesë e batalionit në verën e vitit 1998. Policia ushtarake që ka qenë me juve në batalion sipas jush ishte pjesë e strukturës së batalionit?

Nuredin Abazi: Po atëherë, policia ushtarake ka qenë një skuadër e veçantë që ne e kemi dërguar për intervenime të shpejta, për atë edhe e ka marrë emrin si polici ushtarake.

Misetiç: Atë kohë, keni ditur që ka pasur një ambicie për të krijuar gjykatë ushtarake?

Nuredin Abazi: Po, ambiciet i kemi pasur ne që do të çlirohemi dhe do të bëjmë punë shumë më të mëdha, por s’kemi mund të bëjmë.

Misetiç: Lidhur me Musë Kulollin, ai ka qenë ish polic i policisë jugosllave, kështu?

Nuredin Abazi: Po.

Misetiç: A keni biseduar ndonjëherë me Musë Kulollin, mos kishte ndonjë informacion ai për personat që dyshoheshin si kolobracionist, duke marrë parasysh rolin e tij të mëparshëm në policinë jugosllave?

Nuredin Abazi: Jo, nuk e di.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore