Shqipëria

Tre gara të hapura bashkiake në Qarkun e Durrësit


Qarku i Durrësit dikur shquhej për pozicionimin e djathtë politik por prej vitesh qëndron në administrimin e mazhorancës qeverisëse.

Me një popullsi prej 290 mijë banorësh, një buxhet prej 5.2 miliardë lekësh dhe një Produkt të Brendshëm Bruto prej 160 miliardë lekësh ky Qark përfaqëson thelbin gjeostrategjik të Shqipërisë.

Qendra e Qarkut është qyteti i Durrësit, si një pararojë tregtare me një traditë historike që favorizohet prej pozicionit të saj të shkëlqyer.

Shqipëria ka një pozitë gjeostrategjike tepër të favorshme, si një nga krye-urat ballkanike të komunikimit të Lindjes me Perëndimin dhe anasjelltas.

Me aeroportin “Nënë Tereza” dhe Portin e tij në territor, Qarku i Durrësit është kryqëzimi i të gjitha rrugëve tokësore, hekurudhore dhe detare, të cilat e lidhin atë me të gjitha pjesët e tjera të vendit, me vendet fqinje, si dhe me pjesën tjetër të botës.

Durrësi është renditur si qarku i dytë më i madh në vend, pas Tiranës, duke ia kaluar në këtë mënyrë Fierit, që deri më tani ishte pas kryeqytetit për numrin e popullsisë.

Një ndër projektet me financim të huaj që fillon në vitin 2021 është projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës – Terminali i pasagjereve Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Rinas që përfundon në 2023.

Partia Demokratike e ka kontrolluar për herë të fundit Bashkinë e Durrësit në vitin 2000.

Demokratët humbën shansin e tyre më të mirë në vitin 2007, kur Vangjush Dako mposhti kundërshtarin me vetëm 300 vota më shumë.

Socialistët krijuan pas kësaj një makineri të stërmadhe elektorale në qarkun Durrës, ku përfshihen edhe lidhjet famëkeqe me elementë të krimit të organizuar, falë të cilave ishin në gjendje të përmirësonin rezultatin e tyre zgjedhor, veçanërisht në zgjedhjet bashkiake.

Në zgjedhjet e vitit 2021, Durrësi ishte shumë i rëndësishëm për socialistët, të cilët vendosën kryetarin e tyre në listat e këtij qarku, por rezultati nuk ishte aq i thellë.

Durrësi pati zgjedhje të pjesshme në vitin 2022, ndërsa kryebashkiakja e mëparshme dha dorëheqjen pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Emiriana Sako, kryebashkiakja aktuale, fitoi ato zgjedhje në të cilat morën pjesë vetëm 26 për qind e votuesve, përballë dy kandidatëve të PD-së së përçarë.

Durrësi ka 266 mijë votues sot dhe numri i votuesve të regjistruar është rritur me mbi 51 mijë nga viti 2011.

Krujë

Një tjetër bashki ku gara do të jetë e hapur është Bashkia e Krujës.

Demokratët kanë qeverisur qytetin e Krujës për herë të fundit në periudhën 2007-2015.

Shpërndarja e Buxhetit të Bashkisë Krujë është 1 miliard lekë.

Më shumë para nga buxheti i Bashkisë shkon për Kujdesin social për familjet dhe fëmijët me 32 për qind.

Arsimi bazë merr 13 për qind, 12 për qind për shërbimet publike vendore, Rrjeti Rrugor Rural zë 11 për qind ndërsa Mbrojtja Civile me 4 për qind dhe Furnizimi me ujë të pijshëm me 3 për qind mbyllin listën buxhetore.

Bashkia e Krujës kontrollohet nga Partia Socialiste me kryebashkiak Artur Bushin.

Përballë tij garon Agron Loka, i cili ka qenë kryetar i degës së Partisë Demokratike në qytezën e Fushë-Krujës, një nga njësitë administrative të bashkisë Krujë.

Kruja numëron 65 mijë votues dhe votat e saj janë të rëndësishme për zgjedhjet parlamentare për shkak se llogariten si pjesë e qarkut Durrës.

Banorët e bashkisë së sotme votuan në shumicë dërrmuese për kandidatët e PD-së në zgjedhjet e vitit 2007, ndërsa rezultati u ngushtua në vitin 2011.

Socialistët fituan Krujën mes debateve më 2015. Në vitin 2021, ata fituan vetëm 225 vota më shumë se sa partitë e opozitës, PD dhe LSI, të marra së bashku.

Numri i votuesve në Krujë është rritur me 10 mijë nga viti 2011, ndërsa numri i pjesëmarrësve në zgjedhje është rritur me më pak se 2 mijë.

Kruja si qytet dhe rrethinat e saj plotësojnë interesat turistike me Muzeumin e saj të vendosur në muret e Kështjellës së vjetër dedikuar heroit kombëtar Skënderbeut, me Pazarin e Vjetër, që ofron punime artizanale tradicionale lokale dhe me Parkun Kombëtar të Qafë Shtamës.

Shijak

Shijaku është bashkia më e vogël në Qarkun e Durrësit. Njësia vendore e cila shtrihet ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, me një sipërfaqe prej rreth 92 kilometrash katrorë, gjatë 32 viteve të demokracisë, jo pak herë ka qenë pjesë e lajmeve të kronikës së zezë.

Buxheti i Bashkisë Shijak për vitin 2021 ishte 997 milionë lekë nga të dhënat zyrtare.

Kjo njësi me një popullsi prej rreth 44 mijë banorësh, është ndër më të varfrat në Shqipëri, edhe pse pozicioni gjeografik në mes dy qyteteve më të mëdha të Shqipërisë, duket se nuk e ka favorizuar në zhvillimin ekonomik.

Paga mesatare bruto në Shijak është rreth 40 mijë lekë, ndërsa të ardhurat për frymë në 31 mijë lekë, rreth 25 për qind më pak sesa paga minimale në Shqipëri.

Nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të vitit 2019, kjo ishte ndër bashkitë më të dëmtuara, por fatmirësisht pa viktima.

Dëmet materiale i lanë vend mendimeve të falimentimit total të kësaj bashkie, por menaxhimi i kësaj situate shihet si pika më e fortë e kryetarit në detyrë, Elton Arbana, i cili synon të marrë edhe një mandat të dytë.

Përballë kryebashkiakut aktual është kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Rezart Tusha, i cili është i mendimit se rindërtimi nuk është një histori suksesi.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në datën 21 qershor 2015 në bashkinë e Shijakut kishin të drejtën e votës 33 mijë e 667 votues. Gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, në datën 21 qershor 2015, në këtë bashki votuan gjithsej 16 mijë e 675 votues, 49.53 për qind e zgjedhësve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore