Shqipëria

Qarku i Gjirokastrës dhe përqendrimi i forcave te turizmi


Gjirokastra është një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike të jugut të Shqipërisë.

Paçka se baza e ekonomisë është bujqësia dhe blegtoria, një vend të veçantë zë edhe turizmi.

Turizmi bazuar në trashëgiminë kulturore, historike dhe arkitekturore, paraqet një nga shpresat më të mëdha për zhvillimin e përgjithshëm të zonës.

Por panorama nuk është kaq e ndritshme.

I gjithë qarku përballet me plagën e plakjes së popullsisë, shpopullimin dhe numrin e pakët të lindjeve, vetë, 374 foshnje të lindura në vitin 2022. Etiketohet si qarku me rënien më të madhe të popullsisë dhe raportin e varësisë së të moshuarve më të lartë në nivel vendi.

27 për qind e popullsisë është larguar vetëm në 10 vitet e fundit, e nëse analiza shtrihet në 20 vitet e fundit kjo përqindje i afrohet 50 përqindëshit.

Sakaq, papunësia është një tjetër plagë e pambyllur.

Qarku përbëhet nga shtatë bashki, e Gjirokastrës, Tepelenës, Dropullit, Këlcyrës, Libohovës, Memaliajt dhe Përmetit. Ndër to, Bashkia Gjirokastër është më e madhja, kurse ajo e Dropullit më e vogla.

Në këtë garë të re duket se nuk ka shumë të reja pasi gjashtë nga kandidaturat janë rikandidime.

Gjirokastra, e vendosur në faqen e Malit të Gjerë, ka qenë dhe mbetet një nga qendrat kryesore të jugut të vendit.

Që prej vitit 2005 është pasuri e UNESCO-s dhe vlerat unike të qytetit sot e kësaj dite vizitohen më kërshëri nga vizitorë nga e gjithë bota.

Në këto 30 vite, Gjirokastra është drejtuar nga të majtë e të djathtë. Kryebashkiaku më jetëgjatë ka qenë Flamur Bime nga radhët e Partisë Socialiste, për tre mandate radhazi.

Por Gjirokastra ka nxjerrë edhe një kryebashkiak kryeministër. Bashkim Fino, në vitin 1997, la detyrën e kryebashkiakut të Gjirokastrës për të drejtuar në atë kohë qeverinë e Pajtimit Kombëtar, pas ngjarjeve të trazuara të atij viti.

Ndërkohë, PS-ja ka zgjedhur që për zgjedhjet e 14 majit t’u ofrojë qytetarëve të njëjtën kandidaturë si herën e kaluar. Bëhet fjalë për kryebashkiakun aktual Flamur Golemi, i cili pasoi në këtë detyrë Zamira Ramin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në vitin 2013, nga mjek okulist në spitalin “Omer Nishani”, ai u emërua  Drejtor i Shëndetit Publik.

Tre vite më vonë, Golemi mori drejtimin e PS-së në Gjirokastër. Dhe një vit më vonë u zyrtarizua i treti në listën e kandidatëve të PS-së dhe ia doli të zgjidhej deputet.

Në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, pa opozitën, ai u ‘kthye’ në Gjirokastër si kandidat për kryebashkiak, ku fitoi zgjedhjet.

Kurse nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, përballë tij është Dorjan Lani, i cili më parë ka qenë pjesë e administratës së bashkisë.

Sa i përket Tepelenës, ndër vite qyteti ka ndryshuar dhe aspiratat për tërheqjen e turistëve sa vijnë e shtohen. Përpos bukurive natyrore të të gjithë zonës, Tepelena mbart me vete edhe historinë.

I përzgjedhuri i PS-së për garën e 14 majit është Tërmet Peçi. Ai e ka mbajtur pozicionin e kreut të bashkisë që prej vitit 2011. Sakaq, është rizgjedhur edhe në vitin 2015 dhe 2019.

Ngjashëm sikurse ai, edhe Klement Ndoni i PS-së, rikandidohet. Ai ka në detyrën e kryebashkiakut të Bashkisë Këlcyrë që në vitin 2015.

Përballë Peçit, nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, është Baftjar Imeri. Ky i fundit kthehet nga emigrimi, konkretisht nga Kanadaja, për të garuar për Bashkinë Tepelenë.

Por ashtu sikurse edhe në Këlcyrë, për këtë bashki do të ketë tre alternativa pasi është në garë edhe kandidatura e zgjedhur nga Enkelejd Alibeaj, Sokol Guga.

Një tjetër e përbashkët me Këlcyrën është edhe fakti se kandidati i Alibeajt, i cili është Adriatik Spahiu, ka ardhur nga emigrimi ngjashëm si Imeri.

Ndërkaq, gara për Memaliajn ka marrë një tjetër drejtim këtë herë pasi vëmendja është përqendruar te lumi Vjosë.

Jehona ndërkombëtare e kohëve të fundit, shpallja Park Kombëtar dhe çelja e sezonit të ri turistik për të ringjallëruar ekonominë lokale, kanë bërë që Vjosa të jetë beteja më e fortë elektorale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore