Shqipëria

Socialistët përballë historisë demokrate në 5 bashkitë e Qarkut Shkodër


Kanë mbetur edhe pak ditë nga zgjedhjet vendore.

12 qarqet e vendit janë mobilizuar në fushatë. Një prej tyre edhe qarku Shkodër.

Ky i fundit është një ndër zonat më të nxehta. Kjo, për shkak të dinamizmit që e karakterizon.

Qarku Shkodër është shtëpia e pesë bashkive: Shkodër, Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe, Pukë dhe Vau i Dejës.

Më e rëndësishmja vazhdon të jetë Shkodra pasi është një ndër kryeqendrat e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, për shkak të trashëgimisë, si dhe vendndodhjes gjeostrategjike prej afërsisë mes malësive, liqenit, detit dhe rrugëve me rëndësi në kuadrin e Ballkanit Perëndimor.

Qyteti i Shkodrës si qendër e zhvillimit të rajonit të Veriut mban rolin e motorit të rritjes ekonomike edhe për njësitë e tjera administrative që e përbëjnë atë.

Veprimtaria më e rëndësishme e qarkut Shkodër është turizmi.

Papunësia në Shkodër ka pasur luhatje gjatë viteve të fundit. Në vitin 2019 ka pësuar rënie, por pa zgjatur shumë pasi në 2020 norma e papunësisë rritet përsëri.

Për sa i përket politikës, Shkodra ka qenë tradicionalisht blu. Këtë herë socialistët kërkojnë të thyejnë “mitin” ndërsa demokratët kërkojnë të qëndrojnë “stoikë”.

PS ka vendosur që garën t’ia besoj Benet Becit, ndërsa koalicioni “Bashkë Fitojmë”, ka caktuar Bardh Spahinë, kryetarin aktual të dalë nga zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Ashtu si Beci, edhe Spahia më herët ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” ka shpalosur planin me disa pika. Në krye të listës qëndron ekonomia. Kështu, në idetë e tij, Shkodra do të jetë kryeqendër rajonale.

Nga ana tjetër, kundërshtari i tij politik, do të ndjekë tre linja.

Bashki “në punë, e hapur dhe që thith investimet”.

Shkodra “pozitive” përhap “flakët” në gjithë Shqipërinë më 14 maj

Gati 46 mijë votues në bashkinë Malësia e Madhe në veri të Shqipërisë do të kenë mundësinë të zgjedhin për kryetar bashkie mes kryetarit aktual, Tonin Marinaj dhe kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë, Isa Ramaj.

Votuesit do të kenë mundësi të zgjedhin mes 20 partive të ndryshme për postet e anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Këshilli në këtë bashki ka 31 anëtarë. Në listat shumëemërore të partive garuese për Këshill Bashkiak gjenden 668 kandidatë.

Në zgjedhjet e viteve 2007 dhe 2011, kandidatët e së djathtës kanë pasur avantazh të konsiderueshëm kundrejt të majtës në komunat e kësaj bashkie. Marinaj mbajti mandatin në zgjedhjet pa garë të vitit 2019 kur mori rreth 8 mijë vota.

Bashkia e vogël e Fushë-Arrëzit në zonën malore të veriut të Shqipërisë është një nga bashkitë me tkurrje të konsiderueshme demografike.

Reduktimi i votuesve potencialë nuk i ka penguar 15 parti të garojnë për 15 postet e këshillit bashkiak të kësaj bashkie, duke vendosur në lista plot 242 kandidatë.

Në garë për postin e kryetarit të bashkisë në këto zgjedhje janë kryetari aktual, Fran Tuci, i cili kërkon një mandat të tretë për Partinë Socialiste dhe Hil Curri nga koalicioni Bashkë Fitojmë.

Bashkia e Pukës është një ndër zonat e pasura minerare të vendit, e cila disponon gjithashtu një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Megjithatë, prerja pa kriter e pyjeve ka shkaktuar jo pak probleme për këtë zonë.

Për drejtimin e bashkisë kandidojnë Rrok Dodaj nga koalicioni Bashkë Fitojmë dhe Gjon Gjonaj nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Ky i fundit kërkon rikonfirmim për herë të tretë pasi u zgjodh kryebashkiak në zgjedhjet lokale të vitit 2015.

Nga ana tjetër, mbetet dhe një tjetër bashki, ajo e Vaut të Dejës ku garojnë tre kandidatë: Klementina Drini nga Partia Demokratike, Kristjan Shkreli nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Zef Hila nga koalicioni Bashkë Fitojmë.

Hila ka shëbyer si kryebashkiak i Vaut të Dejës në një mandate nga viti 2015 deri në 2019, kohë kur më pas PD vendosi të bojkotojë zgjedhjet dhe më pas në 2021 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore