Shqipëria

Shkodra “pozitive” përhap “flakët” në gjithë Shqipërinë më 14 maj


Shkodra, aty ku ethet e zgjedhjeve do të jenë të mëdha. Dhe kur thuhet Shkodër shumëkujt mund t’i vijë në mend humori, dikujt tjetër arti e kultura, e shumë të tjerëve biçikletat.

Qyteti është shtëpi e 135 mijë banorëve sipas censusit të 2011-ës.

E teksa panorama ofron gjithçka duhet: natyrë, liqen, lumenj, sytë hidhen tutje. Andej nga çfarë ofron politika.

Edhe në Shkodrën që çdo vit përmbytet nga vërshimet e lumenjve Drin dhe Bunë, më 14 maj do të ketë garë.

Garë që forcat politike e kanë si “halë” në sy.

Socialistët kërkojnë të thyejnë mitin e Shkodrës blu, ndërsa demokratët kërkojnë të ruajnë “traditën”.

Kështu, PS ka vendosur që në Shkodër, ashtu si në 15 bashkitë e tjera, të hyjë në zgjedhje me kandidat të ri.

Mes “prurjeve” qëndron Benet Beci, që la mandatin e deputetit për të garuar për kryebashkiak, aty ku pushtetin vendor e ka opozita.

Kjo e fundit, garën ia ka besuar sërish Bardh Spahisë, kryetarit aktual të dalë nga zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Ashtu si Beci, edhe Spahia më herët ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Tashmë, ata të dy do të garojnë për “fronin” e Bashkisë.

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” ka shpalosur planin me disa pika. Në krye të listës qëndron ekonomia. Kështu, në idetë e tij, Shkodra do të jetë kryeqendër rajonale.

Jo vetëm kaq. Për të, Shkodra nuk ka dy alternativa.

“Ka vetëm 1 alternativë! Ajo është fitorja! Bashkë do të fitojmë”.

Siç vetë Spahia ka deklaruar, “demokratët presin me padurim që në zgjedhjet e 14 majit, flaka e lirisë të përhapet nga Shkodra në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë dhe në të gjithë Shqipërinë”.

Demokrati, ka premtuar se Bashkia Shkodër do të jetë një derë e hapur për të gjithë shkodranët.

“Vizioni ynë për Shkodrën është ai i një qyteti të zhvilluar në disa drejtime, ku mbështetet fort tek potencialet që territori ka, tek traditat dhe vlerat më të mira që na bëjnë padiskutim një prej bashkive më të rëndësishme në Shqipëri dhe rajon”.

Në program, fokusi qëndron edhe në projektet e ekomobilitetit urban, eficiencës energjitike, zhvillimin e turizmit dhe kulturës, zhvillimin rural dhe përmirësimin e shërbimeve bashkiake duke synuar kështu përmirësimin e cilësisë së jetesës.

Nga ana tjetër, kundërshtari i tij politik, do të ndjekë tre linja.

Bashki “në punë, e hapur dhe që thith investimet”.

Siç duket qëllimet janë të njëjta. Edhe për Becin, kryefjala do të jenë zhvillimi ekonomik, projektet dhe investimet.

“Shkodra besoj të jetë qendra rajonale e zhvilluar përtej kufijve dhe mendoj se do të kemi një bashkëpunim për një bashki me banorët, komunikuese për të përcjellë problematikat që ka. Shumë shpejt mendojmë të kemi një program të investimeve të rrugëve rurale dhe qyteteve”.

Në fokus të tij gjithashtu do të jetë hyrja e Shkodrës.

“Besoj që koncepti i projektit për Shkodrën nuk është brenda qytetit, por në të gjithë zhvillimin rajonal të Shkodrës si qendër e rajonit të veriut.  Nëpërmjet hapjes me disa pika doganore. Investim kryesor është autostrada adratiko-joniane nga Muriqani deri në Lezhë”.

Në daljet publike, Beci ka theksuar se kjo nuk një garë politike, por një garë ofertash zhvillimi për këtë bashki.

Kështu, bazuar në “fjalët” e kanidatëve, shkodranët do të votojnë për programet. Mbase, ndryshe nga çfarë është parë deri më sot në ambjentin politik shqiptar.

Ndër vite në Shkodër kanë qarkulluar idetë e “manipulimit” të zgjedhjeve edhe përmes bandave. Kështu, pavarësisht se si bashki ka qenë tradicionalisht e djathtë, numerikisht kanë ndryshuar gjërat.

Më 6 mars të vitit të shkuar, Bardh Spahia fitoi përballë kandidates së PS-së, por në zgjedhje morën pjesë vetëm 47 mijë votues, nga 69 mijë që kishin marrë pjesë më 25 prill të vitit 2021.

E tashmë, sa i përket betejës, mbetet në duar të shkodranëve për të vendosur.

Nuk luhet guri nga vendi me mendime – thotë një thënie e vjetër e tyre. Kështu më 14 maj, do shihet se si luhet guri me votë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore