Shqipëria

Tre bashkitë e qarkut Lezhë në luftë të hapur mes të majtës e të djathtës


Qarku i Lezhës në zgjedhjet e përgjithshme ka parë disbalanca të shpeshta trajetorale, ku në 20 vitet e para të demokracisë kanë qenë në epërsi të plotë demokratët në fitoret e njëpasnjëshme dhe në dhjetëvjeçarin e fundit, socialistët dukshëm kanë fituar terren.

Njëjtë llogaritet situata edhe kur flitet për tre bashkitë që e përbëjnë këtë qark, veçse me ndarjen e re administrative-territoriale, epërsia i ka shkuar socialistëve. Kjo, duke parë edhe lëshimet që opozita demokrate ka bërë duke mos hyrë në zgjedhje, apo duke reflektur përçarje të dukshme mes vetes.

Lezha është kryeqendra e qarkut dhe afërmendsh është edhe bashkia më e rëndësishme, ku me një shtrirje të gjatë në bregdet dhe me turizmin “ekonomik” të arritur në kohë, është bërë një qendër e frekuentuar prej të shumtëve.

E gjitha, kombinuar me një “boom” zhvillimor të agroturizmit në këto zona, i cili ka rijetësuar edhe fshatra të tërë, ku më parë dukej se nuk kishte shpresë për të parë gjallëri.

Një etapë vendimtare për gjithë qarkun e Lezhës ka qenë edhe goditja e marrë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 e më pas nga pandemia, ku është parë situata si një mundësi e re zhvillimi.

Vetë në Bashkinë Lezhë, në radhën e të majtëve, do të jetë sërish Pjerin Ndreu, ish-deputet i këtij qarku dhe tashmë kryebashkiak me influencë të lartë në gjithë zonën, ai i cili do të kërkojë sërish mandatin.

Në atë çfarë shihet me sy të lirë, Lezha ka ndryshuar dhe nën tutelën e Ndreut, përtejse është punuar, qyteti dhe zona e plazhit kanë fituar disa herë në vite edhe emërtimin e “bashkisë më të pastës në Shqipëri”.

Gara gjithsesi nuk do të jetë e lehtë, pasi përballë opozita vjen e unifikuar me një kandidat të vetëm, Pashk Gjonin, i cili garon në radhët e koalicionit Bashkë Fitojmë. Gjoni, një zgjedhje jo rastësore, pasi është personazh me ndikim në zonë dhe ka kontribuuar për komunitetin.

Lezha mes të majtës dhe të djathtës, një zonë e nxehtë në zgjedhjet vendore

Por, sërish, edhe pse tek të majtët nuk kanë munguar konfliktet në Lezhë, ata shihen si të epërm në betejë prej sondazheve, ku mundësia për një “surprizë” prej opozitës nuk mungon.

Kurbini është një tjetër bashki e këtij Qarku, e drejtuar mandatin e fundit prej Majlinda Carës nga radhët e socialistëve.

Një prej qyteteve të goditur fort nga tërmeti, kryeqendra e bashkisë, Laçi, ka parë ndryshime rrënjësore, përfshi edhe një lagje krejtësisht të re me fondet e Qeverisë turke, e cila bëri bujë të madhe për shkak të inaugurimit që vetë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i bëri.

Cara përballë do të ketë sërish një kandidat të unifikuar nga opozita, Behar Haxhiun e koalicionit Bashkë Fitojmë, i cili pret që me maksimizimin e votave nga kahu opozitar, të mposhtë Carën.

E fundit bashki është ajo e Mirditës në qarkun Lezhë, ku përballë do të jenë dy rivalë sërish: Ndrec Dedaj nga Partia Socialiste dhe Albert Mëlyshi nga Bashkë Fitojmë.

Një garë krejtësisht e hapur ku të djathtët, do të përpiqen të ruajnë traditën e fitoreve blu në këtë zonë, edhe pse qeverinë vendore e kanë pasur socialistët.

Për të mos u nënvlerësuar gjithsesi në zona të caktuara, mbetet edhe ndikimi i Partisë së Lirisë (ish-Lëvizja Socialiste për Integrim), e cila në kohën kur e vetme garonte, mandatin e Lezhës e kishte të garantuar në zgjedhje.

Do të jetë sërish kështu, për të dhënë një epërsi në kampin opozitar. Mazhoranca gjithsesi, si në shumicën e vendit, mendon se e ka të sigurt një fitore tre me zero.

Fjala më 14 maj për të hequr zërat aludues, i takon mbi 122 mijë votuesve në këto bashki.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore