Shqipëria

Beteja e socialistëve në qarkun Kukës për të ‘thyer’ traditën demokrate


Qarku Kukës është i destinuar për turizëm. Reliev i shumëllojshëm, liqen, klimë, lumenj, livadhe alpine, bjeshkë.

Në përbërje ka tre bashki. Aq sa të njëjta dhe me dinamika në përbërjen e tyre.

Kryesorja është ajo e Kukësit, pasuar nga Tropoja e Hasi.

Lirisht, Kukësi mund të konsiderohet dhe si djep i kulturës popullore.

Motoja e qytetit është “Qyteti i mikpritjes dhe bujarisë”.

Historikisht, Bashkia Kukës ka qenë nën drejtimin e demokratëve, ku në zgjedhjet e zhvilluara është etiketuar gjithmonë si bastion i djathtë.

Përjashtim, bën viti 2019, ku socialistët morën drejtimin pa garë pasi PD vendosi të bojkotojë zgjedhjet.

Kryebashkiaku aktual Safet Gjici kërkon të mbajë sërish drejtimin ndërsa përballë ka dy kandidatë, Admir Sinamati nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Abedin Oruçi – “Partia për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë”.

Duhet pasur në konsideratë se kur flitet për Kukësin, si në zgjedhjet vendore edhe ato parlamentare, PD e ndjen veten të sigurt.

Gjici në fokus, siç vetë ai ka deklaruar do të ketë asfaltimin e rrugëve, rikonstruktimin e shkollave, mbështetjen për turizmin si dhe për sektorë si bujqësia dhe blegtoria.

Sinamati, me profesion mjek ka thënë se e ka peshuar mirë vendimin për të kandiduar në Kukës, duke cituar edhe një thënie të zonës së Lumës.

“Ka një postulat në Kukës, që burri i mirë, kurrë nuk ngutet, as prej frike, as prej tute”.

Ai, në prezantimet e bëra ka theksuar se kanë projekte konkrete, duke  ravijëzuar se janë bazuar në premtime jetike.

“Është e dhimbshme, cinike, që në 2023 diskutohet për ujë, drita, rrugë”.

Për të nga ana e mazhorancës ka pasur akuza se ai po merr shpërblimin për mbrojtjen që i ka bërë Berishës kur ndodhi tragjedia e Gërdecit.

Ishte vetë kryeministri Edi Rama që theksoi se Sinamati ka ndërhyrë tek letrat e Gërdecit për të mbuluar Berishën, e pikërisht për këtë arsye ka kandiduar në këto zgjedhje.

Nga ana tjetër, Bashkia e Tropojës është një zonë e njohur gjithashtu tradicionalisht si bazë e së djathtës. Në fakt socialistët e kanë qeverisur krahinën vetëm një herë, pas zgjedhjeve të vitit 2019. Në garë janë dy politikanë të zonës, të cilët janë përplasur edhe më pare.

Si bashki përballet me sfidat e zhvillimit të turizmit dhe emigracionin e lartë, ndërsa dy kandidatët për kryebashkiakë janë sprovuar gjatë në pushtetin lokal, fillimisht si kryekomunarë dhe më pas si kryetarë bashkie.

Bëhet fjalë për Rexhë Byberi nga Partia Socialiste dhe Besnik Dushaj nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

Dushaj e drejtoi bashkinë e Tropojës në vitet 2015-2019, ndërsa Byberi u zgjodh kryetar bashkie nga Partia Socialiste, pasi kishte qenë për 15 vjet kryetar i komunës Margegaj. Ai u zgjodh kryetar bashkie në zgjedhjet pa garë të vitit 2019.

Tropoja është një bastion historik i së djathtës, por Byberi thotë se është në kërkim të një mandati të dytë me moton: “Partia ime është Tropoja”.

Byberi përdor si kartëvizitë për sukses në këto zgjedhje punët e kryera gjatë mandatit të parë si dhe faktin që rrjedh nga një familje e madhe.

“Unë hyj në garë me rreth 1000 vota plus vetëm të gjakut tim, pasi jemi një familje e madhe. Babai im ka 11 vëllezër,” shtoi ai.

Në kampin tjetër, Besnik Dushaj nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” e ka bazuar gjithashtu fushatën te puna e kryer në kohën që drejtonte bashkinë e Tropojës si dhe te dobësitë e rivalit të tij.

“Kemi kryer shumë punë me një qeveri të majtë, por edhe kemi thithur shumë investime nga donatorë të ndryshëm deri në 3 milionë euro”,  thotë Dushaj duke iu referuar mandatit të tij të viteve 2015-2019.

Dy kandidatët në garë, Besnik Dushaj dhe Rexhë Byberi e kanë drejtuar bashkinë e Tropojës njëri pas tjetrit dhe ndajnë reciprokisht kritika për punën e kryer nga secili. Megjithatë, ata nuk kanë ndryshime thelbësore në premtimet e tyre.

“Lufta” për Tropojën nga ana tjetër është shumë më e ngjeshur për postet e anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Në mënyrë të pazakontë, njëzet e katër parti kanë paraqitur lista me 534 kandidatë, ose një kandidat për çdo 42 votues. Këshilli i Bashkisë ka 21 anëtarë.

Ndërsa gara për Bashkinë Has, ndryshe nga dy të tjerat ka surpriza. Kjo, sa i përket kandidatit të socialistëve.

Halit Mulaj, i cili është Perfekti i këtij qarku dhe jo kryetari aktual i bashkisë do të jetë përballë demokratit.

Nga ana tjetër, nga radhët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, kandidat është Miftar Dauti.

Ky i fundit ka premtuar se do bëjë punën më të mirë për të vendosur Hasin në rrugën e duhur të zhvillimit.

Mes dy kandidatëve ka pasur dhe “përplasje” me akuza për blerje votash.

Më 14 maj qytetarët do të votojnë në tre bashki për një qark.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore