Shqipëria

Qarku Tiranë me 5 bashki në lojë – Socialistët kërkojnë hegjemoni, demokratët rikthimin në pushtet vendor


Pesë bashki janë në garë për qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit 2023, ku pavarësisht historisë së vonë me fitoret e njëpasnjëshme të socialistëve, pjesa më e madhe e kryeqendrave vendore, kanë rezultuar historikisht në qenien si bastione demokrate.

Kryesisht, i gjithë qarku, shtrihet më së shumti në një zonë ekonomike-industriale në Shqipërinë e Mesme, ku vetëm Kavaja dhe Rrogozhina, kanë daljet e tyre në det.

Si kryeqendër absolute, shfaqet edhe bashkia e bashkive në gjithë vendin, Tirana, e cila në garë këtë vit do të shohë gjashtë kandidatë.

Beteja kryesore do të zhvillohet mes socialistit Erion Veliaj dhe kandidatit të Bashkë Fitojmë, Belind Këlliçi.

Lufta për Bashkinë e bashkive – Multimodaliteti i vizionit të cunguar për Tiranën metropolite

Megjithatë, me hyrjen në ekuacion të Partisë Demokratike me kandidat Roland Bejkon, i cili e përçan elektoratin e djathtë në këtë garë, apo me ultra të majtin Arlind Qori, si një prurje interesante në fushatë dhe votime, surprizat mund të mos mungojnë.

Dy të vetmit, të cilët duken jashtë loje, janë përfaqësuesja e PDIU-së, Lajla Përnaska, si edhe kandidati nga Fronti i Majtë, Marko Dajti, i cili përtej shpalosjes së një sloganin “Leninist”, asgjë nuk ka lënë si shenjë në fushatë.

Kamza, bashkia e dytë më e madhe në qark, po ashtu pritet të shohë një garë interesante, pas katër viteve të mandatit të Rakip Sulit (socialist) në krye, si dhuratë që iu bë PS-së me heqjen dorë të demokratëve nga zgjedhjet.

Më parë, Kamza ka qenë një bashki tradicionalisht e djathtë, por ndarja në dy fronte e PD-së, mund të sjellë disfatë këto zgjedhje.

Arjan Hoxha dhe Bilbil Bajraktari, të dy të djathtë parimisht, do të garonte me logo të ndryshme, njëri për koalicionin Bashkë Fitojmë dhe tjetri për Partinë Demokratike.

Fushëbeteja e Kamzës “policentrike” pa kthim mbrapa

Për t’u parë mbetet nëse puna e katër vjetëve dhe kjo ndarje, do t’i mjaftojnë Rakip Sulit që të mbajë pozitën.

Vora, është një bashki relativisht e vogël, por me rëndësi strategjike, duke qenë se ajo shtrihet mes Tiranës dhe Durrësit e është kthyer në një zonë industriale, që gjeneron të ardhura dhe vende pune.

Sërish, Vora ka qenë tradicionalisht e djathtë, por vitet e fundit fitoren e kanë korrur socialistët me një rokadë pushteti.

Gara pritet gjithsesi e vështirë për të majtët, të përfaqësuar nga Blerim Shera, ku kundërshtar do të ketë vetëm një demokrat: Indrit Hoxhën nga radhët e Bashkë Fitojmë, pasi PD-ja zyrtare nuk ka kandidat në këtë bashki.

Me akuza e kundërakuza për blerje votash apo influencim të padrejtë në proces, Vora pritet të jetë prej atyre bashkive, të cilat do të vendosen me marzh shumë të ulët ndryshimi.

Kavaja ka një pozitë të rëndësishme si bashki, duke parë vijën e gjatë bregdetare që zotëron dhe faktin se është prej qendrave kryesore të turizmit veror në vend.

Sërish, një bashki tradicionalisht e djathtë, por në vitet e fundit e kthyer nga socialistët, fillimisht me Artur Roshin e më pas me Redjan Kralin.

Ky i fundit, do të kërkojë të ruajë mandatin përball Fisnik Qoses nga koalicioni Bashkë Fitojmë, i cili sërish “përfiton” nga fakti se të paktën, në garën për të parin e qytetit, nuk do të ketë rrjedhje votash prej demokratëve të përçarë.

E fundit bashki e qarkut si edhe më e vogla, është Rrogozhina, e cila në fakt e ka fituar statusin e bashkisë më vonë se gjithë të tjerat, përfshi edhe një dalje në det, të cilën nuk e ka zotëruar më parë.

Megjithatë, dalje kjo jo atraktive aktualisht për turizmin në vend.

Por, socialistët, e kanë fituar zgjedhjet e fundit bashkinë, të drejtuar nga Edison Memolla, i cili sërish garon për postin dhe përballë ka Shkëlqim Hoxhën e koalicionit Bashkë Fitojmë (të papërçarë sërish nga e djathta).

Me sytë nga Tirana e madhe si kryeqendër e vendit, qytetarët do të vendosin se sa bashki do t’u takojnë të majtëve e sa të djathtëve, me 14 majin e votimeve vetëm dy javë larg.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore