Shqipëria

Lufta për Bashkinë e bashkive – Multimodaliteti i vizionit të cunguar për Tiranën metropolite


Një bashki, e cila në vitin 2011 numëronte 557 mijë banorë dhe në distancë kohore 12-vjeçare shkon në mbi 850 mijë banorë, mund të shihet vite dritë larg se është një bashki e përcaktuar për të qenë metropolite.

Në këto 12 vjet – tre mandate qeverisëse – në kryeqytetin e shqiptarisë kanë ndryshuar shumë gjëra, por pushteti vendor ka ndërruar veç dy herë (një mandat për Lulzim Bashën dhe dy për Erion Veliajn).

Ndërsa, mendësia e zhvillimit vertikal ka marrë dhenë me kulla aestetike vende-vende, jo në kalibrin e qiellgërvishtësve, problematikat e Tiranës ngjajnë ende me ato të një qyteti një-modal…të paktën në mentalitet.

Si asnjëherë më parë, do të ketë gjashtë kandidatë politikë në zgjedhjet vendore të vitit 2023, pesë prej të cilëve burra dhe një vetëm (e para në historinë e pas-komunizmit) grua.

Erion Veliaj, si kryetar aktual, Belind Këlliçi nga radhët e opozitës me koalicionin “Bashkë Fitojmë”, Roland Bejko nga Partia zyrtare Demokratike, Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë, Lajla Përnaska me logon e PDIU-së dhe Marko Dajti, një kandidaturë “last minute” nga fronti i majtë.

Beteja e vërtetë, pritet të jetë ajo mes Veliajt e Këlliçit, ku të tjerët si figura dytësore, do të testojnë fuqinë e marrjes së votave gri.

Unë, Ti-rana, Ai

Është e tepërt të kërkohet një program për kryeqytetin e gjithë shqiptarëve?

Është gjithsesi i vështirë për t’u gjetur…

Veliaj, si kryetar në detyrë dhe i rikonfirmuar për kandidim, e vuan një sindromë të hershme pushtetare, të cilën e kaloi gjatë mandatit të tretë në drejtim të kryeqytetit dikur edhe kryeministri aktual, Edi Rama.

“Do të vijojmë punët e mira të bëra në dy mandatet e para”.

Është ky faktikisht një program pa program që Veliaj e prezanton, nën moton e fushatës “Kurrë më mbrapa, vetëm përpara”.

Në fakt për Tiranën ajo edhe shumë nuk vlen, sepse në dy dekadat e fundit, veç një herë mandatin e kanë pasur demokratët me Lulzim Bashën dhe paradigma këtu është se Basha (sot i tërhequr nga detyra e kryetarit të PD-së), “thirret” në apel për të treguar të shkuarën.

Përqendrimi më i madh i Veliajt në thelb, është politizimi i fushatës. Në banera apo spote televizive madje, ai vetë as figuron aty, pasi imazhi zyrtar, i takon kryeministrit Rama, si lider i fushatës.

E padrejtë kur zgjedhjet janë vendore, jo qendrore!

Sipas Veliajt, ai ka mbjellë 1 milion pemë në tetë vite mandat, edhe pse vështirë për t’u faktuar…apo besuar. Pemë po vijon ai të mbjellë, si pjesë e një fushate kombëtare socialiste, për të dhënë gjysmën e buxhetit të fushatës për fidanë.

Premtime sporadike për transport publik “Express”, parqe të reja, shkolla, kopshte, lagje, parkingje. Por kaq, jo një vizion i mirëfilltë zgjerimi.

Akuzat ndaj kundërshtarit dhe sulmet e drejtpërdrejta – pse jo edhe përbuzjet – janë pjesë e fushatës për të bindur qytetarët të votojnë në dilemën e përhershme: Jam unë, është edhe ai!

Bus-topia

Belind Këlliçi është një figurë më e freskët politike, i spikatur më së shumti vitet e fundit me mandatin e deputetit që fitoi dhe votat e larta të grumbulluara në qarkun e Tiranës.

Ai në fakt la pikërisht mandatin parlamentar të Tiranës, për një katërvjeçar në krye të Tiranës.

Këlliçi, e ka një program, i cili sërish duket si pa program, edhe nga “gajasja” që faqja e ndërtuar prej tij posaçërisht për fushatën, sjell kur në klikimin për programin e Tiranës, shfaqet Veliaj me “Bob Ndërtuesin” si premtim bosh për një tren elektrik, të cilin socialisti kurrë nuk e vuri në jetë.

Tre pika i ka ai gjithsesi dhe të qarta, ku më i forti (dhe utopiku) është transporti publik falas.

“Unë jam i vendosur për ta kthyer qytetin në kushtet e normaliteti, në binarët e një normaliteti, ku nuk ka nevojë të shpikësh rrotën të japësh premtime që janë të parelizueshme”, deklaroi ai në prezantimin e urbanit pa pará.

Këlliçi e ka bindje se kjo mund të arrihet me 16.5 milionë euro në vit, shifër e cila me modernizmin e rrjetit shkon në 21.5 milionë euro në vit dhe që do të përballohej hipotetikisht nga buxheti tërësor prej 240 milionë eurosh i Bashkisë.

Është në fakt diçka e cila përbën një ofertë joshëse, veçse shumë larg realitetit tiranas.

Është e vërtetë se qytete evropiane e kanë jetësuar diçka të tillë, por në vende jo vetëm shumë të zhvilluara, por edhe qytete të vogla dhe jo metropole si Tirana.

Po ashtu, Këlliçi premton edhe një dyfishim të kopshteve, mbi të gjitha në zonat ku nuk ka pranë të tillë, si problematikë e prindërve për të dërguar fëmijët në kopshte publike.

E treta, ka të bëjë me ndërtimin e 500 oazave të gjelbra, sipas modelit Miyawaki, me kosto 10 mijë euro për oaz, i cili do të zërë secili 200 metra katrorë, me një total investimi prej 5 milionë eurosh.

Është më së shumti një reklamë mbi të mirat që këto mund të sjellin, se sa një plan i vërtetë, ku mungojnë shpjegimet se si pritet që këto të shpërndahen në Tiranë.

PS. Fushatën e vërtetë, çuditërisht, e filloi me një poster shumë të kundërshtuar në rrugët e Tiranës: “Gishtin e mesit”!

Falas…por jo qorrazi

Kandidati i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, për shkak edhe të qëndrimeve të tij të shkuara, është shpesh i asociuar me mendësitë komuniste të politikës.

Mirëpo në këtë fushatë, ai po tregohet më realist se të tjerët.

Kryesisht, edhe Qori, po shkon drejt sulmit të pushtetarëve (përfshi të majtë e të djathtë ndër vite), duke përmendur emra oligarkësh, duke shterruar çështje problematike të politikës ndër dekada dhe duke mos pasur “frikë” të flasë atë çfarë mendon.

Megjithatë, sa i takon programit për Tiranën, pak novacion mund të pikaset.

Fjala bije, lidhur me transportin, ai ka theksuar rëndësinë e korsive të dedikuara të autobusëve, shpeshtimin e tyre në minutazh, si edhe biletën falas…por jo për të gjithë.

Ndryshe nga demokrati Këlliçi, “komunisti” Qori mendon se vetëm shtresa të caktuara duhet ta përftojnë, si fjala bie studentët, pensionistët, të papunët, personat me aftësi ndryshe, apo veteranët dhe bileta, duhet të jetë jo me linjë, por me kohë.

Të tjerët, të cilët munden, le të paguajnë.

Ai, me 10 shtylla kryesore, flet më së shumti për problematika reale të kryeqytetit, si zhvillimi i një plani të ri urbanistik (edhe pse një të tillë nuk e ka ende konkretisht), çështjen e strehimit, çmimin e pronës, politikat fiskale për bizneset, të reduktuara, apo sërish mbi transportin publik, krijimin e një kompanie publike menaxhimi nga vetë Bashkia.

Kundër kullave ndërkaq, ai qëndrimin e ka të qartë kundër, por jo ndaj ndërtimit në tërësi, të cilin sipas programit, kërkon ta përqendrojë në zona periferike.

Frymëmarrje

Roland Bejko nga radhët e PD-së (asaj zyrtare) e quan “Frymëmarrje për Tiranën” fushatën e tij, “akademikisht” të paraqitur edhe në një libërth të diskutueshëm.

Një frymëmarrje në fakt e kërkon edhe vetë PD-ja, për të matur forcat reale të saj, ku kundër nuk ka vetëm socialistët, por edhe fraksionistët brenda saj.

Kandidatura e Bejkos në kryeqytet në fakt, shihet disi si një shkop në “rrotën e Berishës”, për t’i hequr vota atij dhe Këlliçit, duke qenë se bashkim mes të djathtëve nuk pati.

Bejko nuk e fsheh se po zhvillon takime në lagje të kryeqytetit, edhe pse me pak pjesëmarrës. Aty, ai po dëgjon problematikat, për të thënë pastaj se cila mund të jetë zgjidhja.

Program praktikisht, i cili bazohet në pasefektin e shqetësimeve të banorëve, si fjala bie, dikush në merak për prishjen e pallatit mbi 50-vjeçar ku jeton prej dekadash, shtim të hapësirës për parkim aty ku nuk ka, apo ulje të taksave.

Megjithatë, grushti i fortë sërish është politik: Më votoni mua, unë nuk jam peng as i Ramës as i Berishës, si janë Erjon Veliaj dhe Belind Këlliçi.

Kjo është fryma, për të marrë elektoratin!

Shto miell, hiq ujë!

Lajla Përnaska dhe Marko Dajti, nuk pritej të ishin kandidatë dhe emrat e tyre erdhën surprizë në fushatë…por surpriza nuk priten.

Përnaska, fjala bie, “idetë” për fushatën i merr në emisionet televizive ku ftohet dhe i publikon në median sociale Tik Tok.

Një prej tyre, ku po i mëshon shumë, është një nënkalim poshtë Sheshit Skënderbej, të cilin e ka marrë si “ide” edhe Këlliçi, por të cilin Përnaskës ia ka shpënë në mendje gazetari Neritan Sejamini, kur i ftuar me të ka qenë në një studio televizive gjatë fillimit të fushatës, teksa i shpjegonte se sa e thjeshtë ishte të vihej në jetë ky plan.

 

@lajlapernaska “𝐓ë 𝐒𝐇𝐏𝐎𝐇𝐄𝐓 𝐒𝐡𝐞𝐬𝐡𝐢 𝐒𝐤ë𝐧𝐝𝐞𝐫𝐛𝐞𝐣 𝐧𝐠𝐚 𝐩𝐨𝐬𝐡𝐭ë, 𝐓𝐑𝐀𝐅𝐈𝐊𝐔 𝐓Ë 𝐑𝐑𝐉𝐄𝐃𝐇Ë 𝐍𝐠𝐚 𝐫𝐫𝐮𝐠𝐚 𝐞 𝐊𝐚𝐯𝐚𝐣ë𝐬 𝐭ë 𝐝𝐢𝐥𝐞𝐭 𝐝𝐢𝐫𝐞𝐤𝐭 𝐧ë 𝐫𝐫𝐮𝐠ë 𝐭ë 𝐃𝐢𝐛𝐫ë𝐬 𝐝𝐡𝐞 𝐧𝐠𝐚 𝐛𝐮𝐥𝐞𝐯𝐚𝐫𝐝𝐢 𝐭ë 𝐯𝐚𝐳𝐡𝐝𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐭𝐞 𝐛𝐮𝐥𝐞𝐯𝐚𝐫𝐝𝐢” Me datë 𝟏𝟎.𝟎𝟒.𝟐𝟎𝟐𝟑 u diskutua me ekspertin #NeritanSejamini ideja për shpimin e sheshit Skënderbej, e cila është pjesë kryesore e programit tonë për Tiranën. Gjithmonë e hapur për të bashkëpunuar me profesionisitët tanë kudo në diasporë për të sjellë projekte të tilla që i japin fund problemeve të ndryshme të Tiranës🤍💙 #LajlaPernaska #TiJeVLERAeTiranes #pernaskapertiranen #TiranaeQytetareveJoeKryetareve #Pernaska2023 #Zgjedhje2023 #zgjedhjetvendore #kandidate2023 #gruakandidate ♬ original sound – Lajla Pernaska

Përnaska e mori drejtë propozimin dhe e ktheu në “masterplanin” e saj, duke u bërë virale në Tik Tok jo vetëm për nënkalimin në zemër të Tiranës, por duke premtuar nënkalime e mbikalime kudo të jetë e mundur, edhe në gjithë gjatësinë e rrugës së Durrësit!

 

@lajlapernaska Rrëmujës pafund, zhurmës së përditshme do i vijë fundi me këtë super projekt propozim tonin💪 #lajlapernaska #tijevleraetiranës #pernaskapërtiranën #tiranaeqytetarëvejoekryetarëve #pernaska2023 #tiranaeshendetshme #Tirana2023 #Zgjedhje2023 #zgjedhjetvendore #kandidate2023 #gruakandidate #programielektoral #votonr3 #etretaeverteta ♬ original sound – Lajla Pernaska

Dajti, është edhe më specifik, pasi ka një parti që s’është ende parti dhe për t’u futur në zgjedhje, i është dashur të “rrëmbejë” firmën e deputetit demokrat në kampin Berisha, Flamur Noka.

Ai e pranon hapur se nuk është futur për të fituar, por “për të zgjuar popullin” kundër “qeverisjes Rilindase” dhe është kandidat i “Frontit të Majtë”, i cili veçse në Shqipëri mundej të ishte konservator dhe haptazi kundër komuniteteve të caktuara si ato LGBT.

“Metrojolite”

Kur metroja e parë në botë, ajo e Londrës, u themelua në vitin e largët 1863, kryeqyteti britanik nuk i numëronte bashkë me rrethinat 3 milionë banorët.

Sot Londra numëron rreth 9.6 milionë banorë dhe e tillë nuk do të ishte, nëse vizioni nuk do të kishte qenë i qartë 160 vjet më parë.

Njëjtë vlen fakti për New York-un, Tokyo-n, Parisin, çdo metropol.

Tirana kurrsesi nuk do të arrijë ndonjëherë të ketë popullsi të shifrave të tilla deri në 30 milionë banorë.

Por fakti është se Tirana, si entitet i veçuar, nuk mundet të shihet më.

(Pa)vizionet e deri tanishme për Tiranën janë tejet të centralizuara dhe nuk llogarisin thuajse aspak se sfida e vërtetë, nuk është thjesht normalizimi i jetës në kryeqytet, por bashkimi për të lartësuar performancën.

Në Tiranë, një projekt metroje kurrë nuk është përmendur (ndoshta me të drejtë), por fjala bie, a është koha, në kushtet kur në fushatën e vitit 2011 të Lulzim Bashës, u përmend një linjë trami, e harruar dhe pluhurosur në rafte kujtese?

Çështja duhet imagjinuar si e tillë.

Tirana ka dhjetëra njësi administrative dhe për më tepër, rrethohet nga disa qendra me shumë rëndësi.

Kamza, Paskuqani, Sauku, Kashari, Vora, janë në terma konkretë stacione shumë të afërta, të cilat nëse i sheh me vëmendje, mundej fare mirë të ishin pjesë e Tiranës, nëse jo bashki më vete.

Rinasi, po ashtu, tepër i afërt, me një opsion të mëtejshëm një linjë të shpejtë zgjerimi me Durrësin, të hedhur nëpër fjalë si projekti “Durana”, por edhe me Elbasanin e afërt.

Në gjithë kryeqytetet më të mëdha evropiane, projekte si metrotë, nuk lihen si në përdorim ekskluziv të qendrave, por synim kryesor kanë pikërisht të afrojnë periferitë.

Këto zgjedhje vendore për faktin konkret, “shkuan”.

Megjithatë, me programe pa program, a ka ardhur koha për të pasur largpamësitë multimodale metropolite, të asaj Tirane që jo duan qytetarët, por që duhet?

Përgjigjen vetë ata do ta japin, më 14 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore