Shqipëria

Bardhi: Dënoj me forcë aktin kriminal ndaj gjyqtarit Sterkaj


Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike (grupimi Rithemelimi), Gazment Bardhi dënoi sulmin ndaj gjyqtarit të Shkodrës Tonin Sterkaj.

Bardhi deklaroi se aktet për intimidimin me metoda mafioze të magjistratëve në detyrë, janë jo vetëm cenim i sigurisë së tyre dhe familjes së tyre, por prekin gjithë shoqërinë.

“Dënoj me forcë aktin kriminal, të dyshuar si i lidhur me detyrën, ndaj gjyqtarit të Shkodrës Tonin Sterkaj. Aktet për intimidimin me metoda mafioze të magjistratëve në detyrë, janë jo vetëm cenim i sigurisë së tyre dhe familjes së tyre, por prekin gjithë shoqërinë”, theksoi ai.

Ai shprehu njëkohësisht dhe solidaritet të plotë më gjyqtarin dhe familjen e tij teksa u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të zbardhin menjëherë çështjen.

“Duke u solidarizuar plotësisht me gjyqtarin Sterkaj dhe familjen e tij, i bëj thirrje institucioneve përgjegjëse që të zbardhin menjëherë çështjen dhe të vendosin para përgjegjësisë personat përgjegjës, duke i bërë shembull të vendosmërisë sonë për të mos lejuar cenimin e sigurisë ndaj magjistratëve në detyrë”, tha Bardhi.

Ndërsa, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka kërkuar nga organet kompetente të zbardhin sa më parë këtë akt të shëmtuar prej burracakësh që kërkon të intimidojë drejtësinë.

Ai e ka cilësuar gjyqtarin ,Tonin Sterkaj, si gjyqtarin më të vjetër e më me përvojë që ka sistemi i drejtësisë sot në juridiksionin e shkallës së parë.

Manja thotë se me Sterkajn e ka njohur puna si drejtues i Prokurorisë Shkodër, gjatë viteve 2002-2007.

“Si mik dhe si koleg, sot, i kam shprehur Toninit dhe familjes së tij gjithë mbështetjen time”, thotë ministri.

Ai thekson se është në krah se Sterkajt dhe familjes së tij e se është i bindur se drejtësia do triumfojë dhe në këtë rast.

Më herët ishte Këshilli i Lartë Gjyqësor që  i cilësoi akte të tilla si cenim të rëndë të sigurisë së gjyqtarit dhe tha se përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë.

Këshilli e dënoi aktin kriminal dhe i kërkoi organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.

Ai ka shprehur mbështetjen ndaj të gjithëve gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve.

Kjo pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës.

Çfarë ndodhi

Sipas informacioneve paraprake një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në banesën që i përket gjyqtarit, Tonin Sterkaj.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:13.

Nga raportimet e para mësohet se nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

“Rreth orës 03:13, në lagjen ‘Tom Kola’, Shkodër, tek porta e oborrit të banesës së shtetasit T. S., 62 vjeç, është hedhur lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, ishte njoftimi zyrtar i Policisë.

Këta të fundit thonë se po vijojnë kontrollin në zonë, por se ende nuk dihet shkaqet e vendosjes së lëndës plasëse.

Ndërkohë grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Sterkaj është gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore