Kosova

Vdiq Ali Lajçi – ikona e “Pranverës ‘81”


Ali Lajçi

Ish-Kryetari i Komunës së Pejës, Ali Lajçi, vdiq të dielen në moshën 69-vjeçare. Ai do të kujtohet nga historia moderne e Kosovës për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin politik të shtrirë gjatë një periudhe 45 vjeçare.

Emri i Lajçit gjendet në mesin e organizatorëve të demonstratave studentore të vitit 1981 – një prej ngjarjeve madhore në historinë e Kosovës që shënoi fillimin e fundit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Kur shpërthyen demostratat në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, turmës i bashkohet edhe Lajçi, i cili mban një fjalim që “ndez” edhe më shumë pjesëmarrësit. Ai vuajti 15 vite burgim nga regjimi i atëhershëm jugosllav. U lirua nga burgu në vitin 1991, por u arrestua sërish në vitin 1993 për përfshirje në organizime të rezistencës së armatosur kundër regjimit serb.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë që erdhi pas intervenimit humanitar të forcave aleate të NATO-s, ai shërbeu si Kryetar i Komunës së Pejës mes viteve 2001 – 2007, ndërsa u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës në disa legjislatura, ku ishte edhe një ndër nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë, më 17 shkurt të vitit 2008, pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore