Sport

Lamtumira me PSG-në, Mbappe përplaset ashpër me Al-Khelaifi-n


Nasser Al-Khelaifi - Kylian Mbappe

Përballja përfundimtare mes Kylian Mbappe, i cili luajti ndeshjen e tij të fundit në “Parc des Princes” të dielën me fanellën e Paris Saint-Germain, dhe pronarit të klubit, Nasser Al-Khelaifi, i ofenduar që nuk u përmend nga lojtari në lamtumirën e tij të publikuar në një video të premten e kaluar ka sjellë një përplasje të ashpër mes tyre, sipas mediave francee.

Situata mes të dyve ishte tashmë jashtëzakonisht e tensionuar pasi Mbappe njoftoi në verë se donte të largohej nga PSG-ja dhe lojtari pothuajse nuk kishte folur më me presidentin.

Në videon në kanalet sociale me të cilën ka shpallur lamtumirën, kapiteni i “Les Bleus” ka falënderuar të gjithë, trajnerët, drejtorët sportivë, punonjësit e klubeve, tifozët, pa thënë asnjë fjalë për presidentin dhe as emirin e Katarit.

Al-Khelaifi, i cili i kishte garantuar atij kontratën më fitimprurëse në historinë e futbollit francez në vitin 2022, e mori atë si një fyerje.

Para ndeshjes kundër Toulouse, ai kërkoi një takim me lojtarin, pikërisht në stadium një orë para duelit. Të dy mbetën vetëm në një dhomë të vogël, thotë “Le Parisien”, larg syve dhe veshëve kureshtarë dhe u përpoqën të shpjegoheshin.

Fjalët u bënë menjëherë të ashpra dhe të dy ngritën zërin në një përplasje të vërtetë.

“Muret po dridheshin”, raportoi një dëshmitar i cituar nga gazeta, i cili përshkroi një skenë “të dhunshme”. Aq sa lojtarët u detyruan të vononin fillimin e nxehjes para ndeshjes, pasi hynë në fushë katër minuta më vonë se sa pritej.

Sapo doli nga tuneli, Mbappe shkoi menjëherë për të falenderuar fansat të cilët i kishin bërë një pankartë të madhe me portretin e tij. Ky mbeti i vetmi homazh për Mbappe-n në mbrëmjen e tij të fundit me fanellën kuqeblu, pasi trajneri Luis Enrique as nuk e zëvendësoi atë para fundit për t’i garantuar ovacionet e publikut.

Asnjë gjest nga klubi apo drejtuesit, as nga trajneri. Mbrëmë në një deklaratë, PSG ka mohuar përplasjen mes Mbappe dhe Al-Khelaifi, ndërsa ka konfirmuar takimin para ndeshjes për të “finalizuar marrëveshjet e transferimeve në fund të sezonit”.

Duke marrë parasysh deklaratën, “Le Parisien” konfirmoi versionin e tij të një shkëmbimi shumë të ashpër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore