Kosova

4 mijë e 600 kosovarë hoqën dorë nga shtetësia në vitin 2021


Ilustrim

Deri në muajin nëntor të këtij viti, rreth 4 mijë e 600 kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia.

Këtë e ka bërë të ditur zyrtari i lartë për media në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës, Behar Haziraj, i cili thotë se arsyeja kryesore për heqjen dorë nga shtetësia, është mos lejimi i dy shtetësisë në shtetet e ndryshme, kryesisht të Bashkimit Evropian, ku kanë migruar shumë kosovarë.

“Gjatë periudhës janar – nëntor të vitit 2021, nga Shtetësia e Republikës së Kosovës, janë liruar gjithshej 4 mijë e 594 persona. Prej tyre, meshkuj janë 2 mijë e 359, ndërsa 2 mijë e 235 janë femra. Këto janë të dhëna statistikore të përpunuara deri në muajin nëntor, ndërsa meqë muaji dhjetor nuk ka përfunduar ende, të dhënat për këtë muaj nuk i kemi”, ka thënë Haziraj.

“Duke pasur parasysh që një numër i madh i shtetasve tonë jetojnë tashmë me vite në këto shtete, e një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i saj kanë fituar të drejtën e fitimit të Shtetësisë dhe janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi”, ka shtuar ai.

Ky numër është dukshëm më i lartë se në vitin e kaluar kur nga shtetësia kosovare kishin hequr dorë 3 mijë e 600 persona.

Ndryshe gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti, shtetësinë e Kosovës e kanë fituar 362 persona.

Ndërkohë, sipas të dhënave të MPB-së, nga viti 2017 e deri në vitin 2020 nga shtetësia kosovare kanë hequr dorë 20 mijë e 113 kosovarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore