Sport

Zyrtare: Klubi i Chelsea-t kalon në duart e pronarëve të rinj


Tashmë edhe zyrtarisht klubi i Chelsea-t ka kaluar në pronësi të Todd Boehly-t dhe partnerëve të tij.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të klubit londinez, ku bëhet e ditur se ka marrë fund epoka 20 vjeçare e Roman Abramovich-it.

Sipas asaj që raportojnë mediat në Angli, shitja e Chelsea-t do të mbyllet për një shumë prej 4.25 miliardë funte, ku një pjesë e tyre do të shkojë edhe për viktimat e luftës në Ukrainë.

“Konsorciumi i udhëhequr nga Todd Boehly, kryetar dhe drejtori gjeneral i Eldridge, dhe Clearlake Capital Group, LP (së bashku me filialet e tij, “Clearlake”), njoftoi sot përfundimin e transferimit të pronësisë së Chelsea Football Club”, thuhet në komunikatën e klubit anglez.

“Walter dhe Boehly janë pronarë të Los Angeles Dodgers, Los Angeles Lakers dhe Los Angeles Sparks. Transaksioni ka marrë të gjitha miratimet e nevojshme nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, Ligës Premier dhe autoritete të tjera”, shkruhet më tej.

Sipas marrëveshjes, Boehly dhe Clearlake do të udhëheqin tash e tutje me klubin e Chelsea-t.

“Boehly dhe Clearlake janë të përkushtuar për të investuar në fusha kyçe që do të zgjerojnë dhe rrisin konkurrencën e Chelseat, duke përfshirë rizhvillimin e ‘Stamford Bridge’, investime të mëtejshme në Akademi, Ekipin e Grave dhe stadiumin Kingsmeadoë. Pronarët do të vazhdojnë gjithashtu punën e rëndësishme të Fondacionit Chelsea”.

Kujtojmë që klubi i Chelsea-t u sanksionua shkaku i pronarit të tyre Roman Abramovich-it, i cili kishte lidhje të ngushta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin-in.

Në mesin e sanksioneve ndaj tyre, shkaku i luftës së Rusisë në Ukrainë, ndalohej edhe shitja e klubit, megjithatë ajo u lejua pak ditë më parë dhe tani është realizuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore