Shqipëria

Zbardhet vendimi, deri më 1 prill nafta do të kushtojë 245 lekë për litër


Prej datës 26 mars deri më 1 prill, çmimi i naftës në Shqipëri do të mbajë vlerën e 245 lekëve për litër, sipas vendimit të fundit të Bordit të Transperncës, pas mbledhjes së kryer më 25 mars.

Në vendimin e zbardhur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, çmimi i benzinës për të njëjtën periudhë, do të arrijë në 218 lekë për litër. Nga ana tjetër, gazi do të shënojë një rritje, nga 93 në 110 lekë për litër.

Ndryshojnë edhe çmimet e shitjeve të nënproduktit gazoil, i cili do të jetë në 233 lekë për litër. Ndërsa, benzina me shumicë, do të jetë në kuotën e 206 lekëve për litër.

Sa i përket gazit ndërkohë, çmimi me shumicë do të jetë në 98 lekë për litër.

Çmimet, sipas vendimit, reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare, pasi është rritur çmimi i një fuçie naftë.

Mbledhja e radhës ndërkohë, pritet të mbahet më 1 prill, për të rivendosur tavanet e çmimit të karburanteve për një periudhë tjetër.

Për shkak të luhatjeve të shumta të çmimeve të karburanteve dhe të konsumit, në Tiranë është paralajmëruar sërish një protestë qytetare të martën, ku do të protestohet si edhe më parë, mbi rritjen e produkteve të shportës dhe karburantit.

Nga ana tjetër, Qeveria ka argumentuar disa herë se nuk varet prej saj rritje, por për shkak të situatës që po kalohet në Ukrainë.

Në të gjithë botën, çmimet e konsumit kanë reflektuar rritje të mëdha, kryesisht si efekt i rritjes së kostos së karburanteve dhe energjisë elektrike apo gazit.

Megjithatë, i madh është edhe shqetësimi për produktet e drithërave, ku mbi 30% e prodhimit të përgjithshëm botëror, është ai ukrainas dhe rus.

Me konfliktin mes dy vendeve, rezervat mund të pakësohen dhe të ketë problematika të shtuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore