Lajme

Xi Jinping vlerëson lidhjet me Francën ndërsa Macron përgatitet të flasë për tregtinë


Presidenti Xi Jinping vlerësoi lidhjet e Kinës me Francën si një model ndërkombëtar ndërsa mbërriti në Paris.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, do t’i kërkojë Xi-t të reduktojë disbalancat tregtare dhe të përdorë ndikimin e tij me Rusinë për luftën në Ukrainë.

Xi Jinping do të takohet të hënën me Macron dhe shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Xi, i cili u mirëprit në Paris nga kryeministri Gabriel Attal, tha në një deklaratë të lëshuar pas mbërritjes së tij se lidhjet midis Kinës dhe Francës ishin “një model për komunitetin ndërkombëtar të bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit të favorshëm midis vendeve me sisteme të ndryshme”.

Franca po mbështet një hetim të Bashkimit Evropian për eksportet kineze të automjeteve elektrike dhe në janar, Pekini hapi një hetim mbi importet kryesisht franceze të alkoolit, një lëvizje që shihet gjerësisht si një hakmarrje për hetimet e BE-së.

27 anëtarët e BE-së – veçanërisht Franca dhe Gjermania – janë të ndarë në qëndrimin e tyre ndaj Kinës.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, nuk do t’i bashkohet Macron dhe Xi në Paris për shkak të angazhimeve të mëparshme, thanë burimet.

“Në Evropë, ne nuk jemi unanim për këtë temë, sepse disa lojtarë ende e shohin Kinën në thelb si një treg mundësish”, tha Macron, pa përmendur asnjë vend.

Këto ndarje mund të minojnë aftësinë e BE-së për të ndikuar në gjigantin aziatik.

Franca do të kërkojë gjithashtu të bëjë përparim në hapjen e tregut kinez ndaj eksporteve të saj bujqësore dhe të zgjidhë çështjet rreth shqetësimeve të industrisë franceze kozmetike në lidhje me të drejtat e pronësisë intelektuale, thanë zyrtarët.

Kina mund të shpallë një porosi për rreth 50 avionë Airbus gjatë vizitës së Xi, por mbetet e pasigurt nëse do të jetë një marrëveshje e re, thanë njerëz të njohur me negociatat.

Franca ka qenë e prirur të shtyjë Kinën që të bëjë presion ndaj Moskës për të ndalur operacionet në Ukrainë, me pak përparim, përveç vendimit të Xi për të thirrur presidentin Volodymyr Zelensky për herë të parë menjëherë pasi Macron vizitoi Pekinin vitin e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore