Sport

Xavi zbulon se kishte refuzuar një kombëtare të madhe për Barcelonën


Xavi Hernandez së fundmi mori detyrën të bëhej trajner i Barcelonës, por ai zbuloi një prapaskenë shumë interesante.

41 vjeçari edhe një herë dëshmoi dashurinë për Barcelonën, i cili tha se kishte refuzuar të bëhej trajner i kombëtares së Brazilit, vetëm që të ulet në stolin e ekipit ku kaloi gjithë karrierën e tij si futbollist.

“Është e vërtetë që kam folur me Brazilin. Ideja ishte ta ndihmoja Tite-n dhe pastaj ta merrja në dorë ekipin vetë pas Botërorit”, deklaroi fillimisht Xavi gjatë konferencës për media.

“Ëndrra ime ishte të vija në Barcelonë. Ndihem i gatshëm dhe plot vetëbesim. Ndiej se ky është çasti”, tha mes tjerash Xavi.

Pra, të refuzosh një kombëtare të madhe si Brazili, kjo është një gjë e madhe për Xavi-n.

Kujtojmë që spanjolli u rikthye në klubin katalanas, pas gjashtë vjetësh që u largua nga atje.

Ai kaloi katër sezone si futbollist i skuadrës nga Katari, Al-Sadd, pastaj mori edhe rolin e trajnerit në atë klub.

Xavi numëron në total 767 ndeshje zyrtare me Barcelonën në të gjitha garat, derisa ai ka shënuar 85 gola.

Ai gjithashtu kishte 133 paraqitje më kombëtaren e Spanjës, në të cilat kontribuoi me 13 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore