Lajme

VV: Këmbëngulja jonë e detyroi Serbinë t’i pranojë targat RKS


Lëvizja Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje – partia që ka pushtetin në Kosovë – ka reaguar pasi që Serbia ka marrë vendim që nga 1 janari ta lejojë lëvizjen e lirë për të gjitha automjetet nga Kosova me targa RKS në territorin e Serbisë, duke thënë se një gjë e tillë ka ndodhur pas këmbënguljes së tyre.

Përmes një postimi në Facebook, nga VV-ja kanë thënë se “këmbëngulja jonë në atë që është e drejtë, në fund e detyroi Serbinë të zmbrapset e t’i pranoj targat RKS”.

“Do të duhej që pas kësaj ajo t’i pranojë edhe pasaportat, diplomat e të gjitha dokumentet. Kjo është një e arritur e rëndësishme e shtetit dhe qeverisë tonë për qytetarët e Republikës së Kosovës”, kanë shtuar nga partia në pushtet.

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka njoftuar të hënën e 25 dhjetorit se Serbia ka marrë një vendim që do ta mundësojë lëvizjen e lirë të të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin e Serbisë, duke insistuar njëkohësisht se ky vendim nuk duhet të kuptohet si njohje de facto e pavarësisë së Kosovës.

Vetëm gjatë javëve të fundit, mijëra serbë të Kosovës i kanë regjistuar automjetet, duke hequr dorë nga targat ilegale serbe, derisa numri i qytetarëve serbë që kanë zgjedhur t’i konvertojnë targat nga ilegalet në RKS (Republika e Kosovës), ka shkuar në mbi 4 mijë, duke iu përgjigjur në mënyrë pozitive afatit të dhënë nga Qeveria e Kosovës në nëntor të këtij viti.

BE-ja mirëpret vendimin e Serbisë për targat, pret lëvizjen pozitive të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore