Lajme

Vuçiç’it s’i intereson normalizimi real i marrëdhënieve me Kosovën, ai dialogon sa për të shmangur presionin ndërkombëtar, thotë Bieber


Florian Bieber

Situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, sipas profesorit në Universitetin e Grazit, Florian Bieber, është e paqëndrueshme.

Kjo pasi që sipas tij gjendja e brendshme në Bosnje e Hercegovinë në njërën anë dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në anën tjetër janë të tensionuara.

Ndërsa gjithë në këtë mes Bashkimi Evropian, sipas Bieber, nuk po mund ta luaj rolin e një motori transformues, e cila do të duhej të ofronte një rrugë të besueshme Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në Union,

Serbia, beson njohësi i dinamikave politike në Ballkanin Perëndimor, nën udhëheqjen e presidentit, Aleksandër Vuçiç nuk po mund të ecë në drejtim të stabilizimit të marrëdhënieve me fqinjët.

“Përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet me Kosovën ishin të pasinqerta, pasi pamë reagime shumë agresive ndaj kandidaturës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës – një hap që do të duhej ishte plotësisht në përputhje me marrëveshjen e Ohrit, të cilën Serbia gjoja premtoi se do ta zbatonte”, ka thënë Bieber në një intervistë për mediumin serb, Danas.

Vuçiç, sipas Bieber nuk i intereson normalizimi real i marrëdhënieve me Kosovën, por vetëm sa për të shmangur presionin që vije nga komuniteti ndërkombëtar.

“Duket se Perëndimi ka ende njëfarë shprese te presidenti (Vuçiç). Është e vështirë të kuptosh pse ata ende besojnë se ai mund të bëjë diçka për çështje të caktuara. Supozoj se prioriteti ishte të sigurohej që Rusia të mos kishte ndikim në Ballkan, dhe kjo e bëri Vuçiç’in të rëndësishëm, jo ​​sepse ai ishte anti-rus, por sepse ishte i vetmi lider i rëndësishëm në rajon”, ka shtuar Bieber.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet për herë të parë pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç’in, më 2 maj në Bruksel.

Takimi në fjalë, sipas zëdhënësit të BE-ës, Peter Stano do të fokusohet te miratimi i deklaratës për të pagjeturit dhe te paraqitja e draft-statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore