Lajme

Vuçiç: Perëndimi do të propozojë një draft për Asociacionin, s’do të pyetemi fare


Aleksander Vucic

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në fjalën e tij para gazetarëve në Valevë të Serbisë, duke folur për tensionet e krijuara në Veri të Kosovës, ka thënë se shteti që ai drejton “nuk dëshiron luftë”, dhe sipas tij ajo “gjithmonë ka bërë të pamundurën për të ruajtur paqen”.

“Serbia nuk dëshiron përshkallëzim, por edhe ata e dinë se çdo gjë ka masën dhe kufijtë e saj. Ne bëmë të pamundurën për të ruajtur paqen, jemi gati për kompromise. Është një fjalë e bukur, si dhe një bisedë, jo një mëri”, ka thënë presidenti serb.

Ndërsa, ai foli edhe për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin beson se pas tensioneve të krijuara në Veri të Kosovës, shumë shpejt Perëndimi do të dalë me një propozim për këtë mekanizëm, duke shtuar se Serbia as që do të pyetet fare për të.

“Pres shumë situata të vështira për ne në periudhën e ardhshme dhe jam pothuajse i sigurt që perëndimorët do të dalin me një ide gjeniale për të na ofruar ne tekstin e statutit, për të cilin nuk do të na pyesin fare. Prandaj, pres shumë, shumë probleme. Por, kjo nuk është diçka e re. Ka shumë nervozizëm për situatën në Ukrainë dhe disa mendojnë se ne duhet të paguajmë çmimin për mospërmbushjen e pritjeve të tyre”, pohoi ai.

Tutje, presidenti serb theksoi se “të gjithë në botë e dinë se kush po tenton të përshkallëzojë situatën dhe kush dëshiron luftë”.

“Serbia nuk e do këtë”.

Ndryshe, tensionet në Veri të Kosovës janë rritur që nga 26 maji, kur qeveria e Kosovës vendosi për t’i instaluar në zyrat e tyre kryetarët e katër komunave Veriore. Ky vendim hasi në kundërshtim të serbëve lokalë, të cilët ishin mjaft të ashpër në kundërshtimin e tyre.

Situatë më e tensionuar ishte të hënën e 29 majit, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, duke lënë të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata agravoi edhe më tej kur xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës në pikën kufitare, të cilët e liruan pas dy javësh, saktësisht të hënën e 26 qershorit.

Ndërsa, sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, deri më tani janë propozuar katër draft-statute. Fillimisht Draft-statuti i Ekipit Menaxhues në takimin e nivelit të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel me 2 maj, draft-vizioni i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit (sipas modelit kroat), draft-statuti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore