Lajme

Vuçiç: Jam “pro” vizave për Kosovën, por s’ju tregoj pse


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë intervistës në TV Happy

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një intervistë të gjatë për televizionin serb “Happy”, ka thënë se është pro liberalizimit vizave për Kosovën, ,kur është pyetur nga moderatori i emisionit për këtë çështje.

“Po. Me entuziazëm”, ka deklaruar Vuçiç, për të shtuar më pas se “arsyet (e këtij qëndrimi) nuk do t’i tregoj”.

Megjithatë, pas insistimit të gazetarit për ta sqaruar, të paktën shkurtimisht, qëndrimin e tij “pro”, Vuçiç, dha një përgjigje formale-diplomatike, se e ka për “integrim të rajonit”.

Vuçiç gjatë intervistës ka folur edhe për “Mini-Shengenin” Ballkanik.

“Unë u përpoqa dhe bëra më të mirën time me Ana (Bërnabiçin), (Ivica) Daçiçin, Nikola (Selakoviçin), për t’u përpjekur të kemi marrëdhënie sa më të mira në rajon”.

Ideja e ”Mini-Shengenit“ është se “ne e kuptojmë njëri-tjetrin shumë mirë “, dhe është një zgjidhje për të gjitha vendet e rajonit, kur po ballafaqohemi të gjithë me integrimin evropian ka thënë ai.

“Shoh se kjo ide i shqetëson shumë në Evropë, sepse ata nuk mund të na menaxhojnë më. Ne i marrim vendimet tona”, deklaroi Vuçiç.

Vuçiç gjatë intervistës u lëshua pak edhe në histori, tha se “Ballkani u përket popujve që jetojnë në të dhe se ky rajon ka qenë pikë-thyerja e fuqive të mëdha”.

Nga ana tjetër, Kosova pavarësisht se i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, një vendim i tillë ende nuk ka ardhur nga ana e Bashkimit Evropian. Mos-liberalizimi i vizave për Kosovën shpeshherë nga ana e vendeve të BE-së lidhet me dialogun përfundimtarë Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore