Lajme

Vuçiç e Lista Serbe nga Rashka: Zgjedhje në Veri vetëm pas themelimit të Asociacionit


Aleksander Vuçiç ne Rashke

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit me Listën Serbe në Rashkë, është shprehur se “do të kërkojmë që zgjedhjet për katër komunat në Veri të Kosovës të mbahen pas formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Kjo ishte njëra nga pesë konkluzionet që presidenti serb i shpalli pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Përkundër se dihet që Lista Serbe dirigjohet drejtpërdrejtë nga Beogradi, Vuçiç tha se shteti që ai e udhëheq “nuk mori pjesë në vendimin për të mos marrë pjesë në zgjedhje”, por tha se “Serbia nuk do ta lërë në baltë popullin e saj dhe nuk do të dalë kundër Listës Serbe, e cila vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhje”.

“Nga sot do të paralajmërojmë të gjithë ata që janë pro mbajtjes së këtyre zgjedhjeve false se janë shembulli më i keq i zgjedhjeve të paligjshme. Do të kërkojmë që zgjedhjet të mbahen pas formimit të Asociacionit”, tha ai.

Ndërsa, vazhdoi me konkluzionin e radhës, duke thënë se Qeveria serbe “do të kërkojë reagim urgjent nga BE-ja dhe organet dhe institucionet tjera në botë që institucionet e Kosovës të ndalojnë menjëherë shkeljen e marrëveshjes për targa, dhe të mundësojnë lëvizjen e papenguar të automjeteve me targa legale të Serbisë”.

Në rast kundërshtimi ai kërcënoi se “pala serbe do të kundërpërgjigjet me masa të forta dhe adekuate politike për të mbrojtur rendin kushtetues”.

Kërkesë të radhës ai e pati formimin, siç e quajti ai “të pakushtëzuar të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, i cili thotë se është “parakusht për hapat e mëtejshëm në dialog dhe kthimin e serbëve në institucione”.

“Institucionet e Kosovës janë të obliguara të formojnë Asociacionin ekskluzivisht sipas katër marrëveshjeve të arritura deri më tani në Bruksel dhe të cilat janë pjesë e planit zbatues që është pranuar në Ohër”, tha Vuçiç.

Ai vazhdoi me kushtin e radhës, ku kërkoi që njësitet policore të Kosovës në Veri të Kosovës të tërhiqen nga aty.

Po ashtu, kreu serb tha se “shteti i Serbisë do të bëjë gjithçka për të siguruar një jetë më të mirë për serbët në Kosovë”.

“Ky është propozimi ynë, nëse jeni dakord që të jetë kështu”, shtoi Vuçiç.

Ndryshe, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë të enjte është takuar me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës në Rashkë nga ku ka deklaruar se i kanë thënë ndërkombëtarët që “unë do të jem përgjegjës nëse prishen zgjedhjet në Veri të Kosovës”.

Ai, duke bërë një analizë të tij, u ka shpjeguar serbëve se cili është plani i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për Veriun.

Sipas Vuçiç-it, kur të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore, pa prezencën e Listës Serbe, në disa nga ato komuna zgjidhet ndonjë kryetar shqiptar dhe më pas Kurti thotë se ato tashmë s’janë komuna me shumicë serbe dhe rrjedhimisht s’formohet Asociacioni.

“Kurti insiston për të mbajtur zgjedhje dhe më pas për të thënë – ‘ne kemi dashur të formojmë Asociacionin por Mitrovica, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviçi nuk janë më komuna serbe dhe nuk do t’i bashkohen Asociacionit të Komunave Serbe”, deklaroi Vuçiç.

Por, për Vuçiç-in, kjo është një tentativë e kotë, sepse “kjo do t’i blinte Kurtit vec edhe gjashtë muaj, deri në një vit deri sa të kalojë pushtimi i imponuar nga Kurti”.

Ai përsëriti më pas se perëndimi i ka thënë “mos ndërhyni”.

“Të mos i pengojmë që 0.67 apo 0.86 qytetarë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe 99 për qind të tjerë nuk pyeten asgjë. Dhe kjo është ndoshta ajo demokraci, të cilën nëse e kërcënojmë do të jemi – tiranë, faktorë përçarës dhe njerëz që shkatërrojnë me çdo kusht stabilitetin dhe paqen në Ballkan, apo jo?”.

Vuçiç, pos kësaj tha se është në pozitë të vështirë meqë as ndërkombëtarët – ndryshe nga sa e thonë – nuk janë të interesuar ta formojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Vuçiç thotë se e ka zbuluar strategjinë e Kurtit për Veriun: Ja çfarë e ka ndërmend të bëjë – por s’do t’i zgjasë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore