Kosova

Vritet një person në Malishevë, arrestohen katër të dyshuar


Ilustrim

Një person dyshohet se është vrarë me armë zjarri këtë të enjte në Malishevë, ndërsa bëhet me dije se janë arrestuar katër persona të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në këtë rast.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

“Atë që mund t’ju konfirmoj në këto momente është se sot rreth orës 13:30 kemi pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore  është dërguar në QKMF Malishevë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri”, tha ai për AP, duke shtuar se “personeli mjekësor atje ka konstatuar vdekja e tij”.

Elezaj njoftoi se momentalisht policia e Kosovës është në kërkim të të dyshuarve.

“Njësitet e nevojshme policore ju kanë përgjigjur rastit si dhe është njoftuar prokurori i shtetit në konsultim me të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”, potencoi ai.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës bëri me dije se janë arrestuar katër persona, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në këtë rast, “si dhe është konfiskuar një armë”.

Deri më tani nuk dihen rrethanat e këtij rasti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore