Shqipëria

Vrau çiftin e të moshuarve në Dropull, arrestohet autori


Është zbardhur vrasja e një çifti të moshuarish në fshatin Brodishtë të Dropullit, ku Policia tashmë ka identifikuar dhe arrestuar edhe autorin e krimit.

Sipas njoftimeve policore, bëhet me dije se pas ekzaminimit të provave biologjike nga policia shkencore është identifikuar dhe arrestuar autori i vrasjes së Kosta dhe Kleoniqi Ilia, 84 dhe 88 vjeç.

Autori i krimit makabër, Thoma Mastora, ditën e ngjarjes ka shkuar në banesën e çiftit të të moshuarve, aty ku dyshohet se edhe ka pirë kafe me këto të fundit dhe më pas i vrarë me sende të forta.

E moshuara u gjet e pajetë në banesë, ndërsa 84-vjeçari u gjet i vdekur në oborrin e banesës së tyre.

Shkaku i krimit dyshohet të ketë qenë synimi i autorit të krimit që të marrë pronat (tokat) e çiftit të të moshuarve në fshatin Brodishtë, por policia po heton për zbardhjen e shkakut.

Çifti Ilia nuk kishin fëmijë biologjikë, por kishin një vajzë të birësuar të cilën nuk e kishin takuar prej 10 vitesh, e cila jetonte në Greqi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore