Lajme

“Vrasje e rëndë” në Ferizaj, arrestohet një nga dy të dyshuarit


Si “vrasje e rëndë” është duke u hetuar rasti i 18 vjeçares me inicialet M.O, e cila u dërgua pa shenja jete në Qendrën Emergjente të Ferizajt.

Ajo u soll pa shenja jete nga dy meshkuj, rreth orës 15:00 të dielën.

Departamenti i hetimeve rajonale nga Drejtoria Rajonale e Ferizajt, kanë bërë të ditur për medie, se pasi kanë pranuar rastin “Hetim mbi vdekjen”, kanë nisur hetimet, me ç’rast kanë identifikuar dy persona, përmes kamerave të sigurisë.

“Në lidhje me këtë, hetuesit rajonal, pasi kanë grumbulluar disa informacione në terren, kanë siguruar prova materiale, përmes kamerave të sigurisë dhe deklarata, ku kanë gjetur edhe vendin e krimit, që është kryer në një objekt banesorë të një rruge në Ferizaj, si dhe kanë identifikuar dy të dyshuarit e kësaj ngjarje”, thuhet në raportin e Policisë.

Një nga dy të dyshuarit është arrestuar, tjetri akoma është në kërkim.

“Pas kësaj, policia kanë arritur që të arrestojnë njërin, të dyshuarin me inicialet A.S ( M/K) i moshës 32, i cili pasi është intervistuar nga policia, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i njëjti është ndaluar për 48 orë, ndërsa në kërkim policor është i dyshuari tjetër me inicialet D.K (M/K) i moshës 29 vjeçar”, vazhdon më tej komunikimi zyrtar i forcave të renit.

Ndërkaq, trupi i pajetë i 18 vjeçares është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Rasti është duke u hetuar me procedurë të mëtejmë hetimore.

Një natë më parë prokuroria e Ferizajt ka publikuar edhe fotografitë e dy personave të cilët ishin në kërkim dhe të dyshuarit kryesorë të këtij rasti.

Kryeprokurori i Ferizajit, Shukri Jashari, ka thënë se fotografi të dy të dyshuarve u janë shpërndarë policisë në pikat kufitare si dhe drejtorive të policisë.

“Fotografitë e të dyshuarve janë nxjerrë prej kamerave të sigurisë të spitalit, ende nuk dihet kush janë ata persona, mirëpo fotografitë e tyre janë nxjerrë dhe janë shpërndarë në të gjitha pikat kufitare dhe të gjitha drejtoritë të policisë së Kosovës”, ka thënë Jashari për Albanian Post.

Bëhet e ditur se njëri nga të dyshuarit kishe bashkëjetuar me viktimën, dy muaj para se të ndodhte rasti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore