Shqipëria

“Vit të mbarë shkollor” dhe nga politika shqiptare


Me nisjen e vitit të ri shkollor parauniversitar 2021-2022, të hënën e 27 shtatorit, elita politike kanë uruar nxënësit përmes postimeve në mediat sociale.

Me pamjet e shkollës 9-vjeçare të rikonstruktuar në Mangull të Petrelës, kryeministi i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë i pari që ka uruar nxënësit që nisin sot, vitin e ri shkollor.

“Shumë suksese e mbarësi në këtë rrugëtim të bukur dijeje për të ardhmen”, shkruan kryeministri në median sociale “Facebook”.

Po ashtu, i pari i vendit, presidenti, Ilir Meta, ka uruar vecanërisht vogëlushët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

“Një vit të mbarë dhe me plot arritje të shkëlqyera në rrugën e dijës. Urime të ngrohta dhe shumë suksese për të gjithë mësuesit dhe profesorët në misionin e tyre fisnik!” shkruan Meta.

Me urime të përzemërta ndaj nxënësve dhe mësuesve në Shqipëri, e ka nisur ditën dhe kreu i demokratëve, Lulzim Basha.

“Urime vogëlushëve që plot emocione ulen për herë të parë në bankat e shkollës, në hapjen e një kapitulli të rëndësishëm për jetën e tyre dhe gjithë shoqërisë sonë!” shkruan ai ndërsa thekson se edhe ky vit i ri shkollor “do të jetë sfidues” për shkak të pandemisë.

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bashkë me nxënësit e shkollës “Zyber Hallulit”, ka uruar “për një vit shkollor të mbarë e të shëndetshëm”.

Po ashtu, kryeparlamentarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, përmes urimeve për nxënësit, është zotuar që “të gjithë jemi me mendje e zemër tek ju dhe do të bëjmë më të mirën që edhe në sfidë me vështirësitë e pandemisë të merrni cilësinë e merituar të dijes në çdo klasë e shkollë të vendit”.

Më herët, minsitrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, ka uruar nxënësit që nisin nesër vitin e ri shkollor, përmes një video-mesazhi.

Ajo ka theksuar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për ta nisur “mbarë” këtë vit shkollor.

Kujtojmë që, nxënësit prej 1 shtatorit kanë zhvilluar mësime plotësuese për të përsëritur temat e vitit të kaluar.

Gjithashtu, gjuha angleze do të jetë e detyrueshme që në klasën e parë. Edhe gjatë fjalës së mbajtur nga foltorja e Kuvendit, Kushi ka folur mbi reformat për arsimin, në katër vitet e ardhshme.

Ajo ka theksuar se do të ketë risi në sistemin arsimor, sa i përket programit të sporteve, arteve, zhvillimit të kompetencës digjitale dhe futjes së gjuhës angleze që nga klasa e parë.

Ndërsa librat janë falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën.

Klasat e ciklit fillor dhe atij të ulët, kanë marrë librat shkollorë falas, siç është lajmëruar edhe më herët.

Pjesë përftuese e kësaj skeme, do të jenë edhe fëmijët në nevojë për klasat 10-12. Ndërsa ata nga klasa e parë deri në të nëntën, do t’i përfitojnë të gjithë falas.

280 mijë nxënës, janë pjesë e gjithë kësaj skeme. Ndërsa librat, janë botime nga prestigjiozët botërorë si “Oxford”, “Pearson” dhe “Cambridge”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore