Shqipëria

Veliaj: Shpronësimi i radhës, ‘Shtëpia e Libohovitëve’


Nisma e radhës e Bashkisë së Tiranës është shpronësimi i “Shtëpisë së Libohovitëve”, e cila është ngjitur me pjesën e Kalasë që tanimë është restauruar.

Kjo nismë e bashkisë vjen pas shpronësimit të mëparshëm të “Sarajeve të Toptanëve”.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë promovimit të vëllimit të parë të librit të ish-presidentit amerikan, Barack Obama, “Tokë e premtuar”, në “Sarajet e Toptanëve”, rezidenca e parë amerikane në Shqipëri.

“Shpronësimi tjetër do të jetë ish-Instituti i Histori-Gjeografisë, ajo që njihet si ‘Shtëpia e Libohovidëve’ që është ngjitur me pjesën e Kalasë që tashmë është restauruar nga Bashkia e Tiranës”, ka zbuluar Veliaj.

“Më vjen mirë që më në fund do të kemi disa elemente në zemër të qytetit që do të ruhen nga shteti, jo vetëm me një pllakatë, por edhe me fonde publike dhe menaxhim edhe me mirëmbajtje publike”, ka shtuar kryebashkiaku.

Ndërkaq, këto nuk janë të vetmet nisma të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës.

Ka edhe të tjera jo vetëm për ruajtjen e disa godinave karakteristike, por dhe promovimin e tyre, duke i kthyer në atraksione turistike për turistët vendas dhe të huaj.

Më herët, Veliaj ka dhënë lajmin se ndërtesa e ‘Sarajeve’ është zyrtarisht pronë e Bashkisë së Tiranës me vendim të qeverisë shqiptare.

Kjo ndërtesë konsiderohet si muze i qytetit që do evokojë traditën, si edhe historinë diplomatike.

Ai ka treguar se “Bashkia Tiranë i paguan 2.5 milionë dollarë pronarëve për ndërtesën monument kulture”, duke e quajtur këtë një precedent historik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore