Shqipëria

Veliaj nga Piramida: Shkolla më e madhe e Republikës dhe Ballkanit për Teknologjinë e Informacionit


Kryebashkiaku Erion Veliaj nёpёrmjet njё videoje nё median sociale Facebook, tregoi pamje teksa inspektonte sot punimet tek Piramida, në Tiranë. Ai u shpreh se qendra qё po ndёrtohet do tё quhet “TUMO” dhe do tё jetё e ngjashme me projektet me tё njёjtin emёr tё qyeteteve evropiane si Paris, Berlin.

“Do rikuperojmë gjithë kohën e humbur për të dalë faqebardhë e kryelartë dhe për t’iu thënë fëmijëve të qytetit, ëndrrën që vizatuam para disa ditësh e kthyem fillimisht në projekt e tani nga projekt në zbatim, për ta hapur si shkollën më të madhe të Republikës, por edhe të Ballkanit për Teknologjinë e Informacionit”, deklaroi Veliaj.

Qendra TUMO për Teknologji Krijuese, është një eksperiencё arsimore pa pagesë qё i vendos tё rinjtё pёrballё interesave tё tyre, pёrmes trajnimeve, kurseve dhe lojtrave tё ndryshme elektronike.

Programi i të mësuarit përbëhet nga aktivitete të vetë-mësimit, punëtori dhe laboratorë të projekteve që sillen rreth 14 synimeve të të mësuarit.

TUMO ka qendra në Jerevan, Dilijan, Gyumri, Stepanakert, Berd, Gavar, Paris, Bejrut, Moskë, Tiranë dhe Berlin. Qendrat së shpejti do të hapen në disa qytete të tjera të botës pёrfshirё vendin tonё.

Projekti i rijetësimit të Piramidës parashikon një godinë transparente dhe plot dritë, i cili do të shërbejë si një lloj inkubatori për bizneset në fushën e inovacionit, artit dhe kreativitetit. Programet që do të ofrohen janë: animacion, zhvillimi i lojërave, kinematografia, ëeb design, muzikë, shkrim, vizatim, dizajn grafik, modelimi 3D, programim, robotikë, grafika e lëvizjes, fotografi dhe media e re.

Lidhur me projektin “Rijetёsimi i Piramidёs” ka reaguar dhe ZDNet, faqja e njohur amerikane e informimit për teknologjinë e biznesit.

“Dikur simbol i një regjimi totalitar shtypës, godinës që i ngjan një piramide në qendër të kryeqytetit shqiptar, Tiranë, është duke iu dhënë një jetë e re si qendër e teknologjisë”, ka shkruar ZDNet.

Ndёrtesa e Piramidës së Tiranës daton qё prej vitit 1980 kur godina u dizajnua për të kujtuar jetën e diktatorit shqiptar, Enver Hoxha.

Godina u hap në vitin 1988 si muzeu “Enver Hoxha”.

Në atë kohë përshkruhej si struktura më e shtrenjtë e ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri.

Pas rënies së komunizmit në Shqipëri në vitin 1991, Piramida u shndërrua në një qendër kulturore duke nderuar Pjetër Arbnorin, një i mbijetuar nga kampet shqiptare dhe viktimë e regjimit.

Gjatë viteve ’90, Piramida u bë gjithashtu pika më e nxehtë në Tiranë për jetën e natës dhe një vend ku të rinjtë shqiptarë mblidheshin dhe luanin gjatë verës.

Në vitin 2011, qeveria shqiptare, që në atë kohë drejtohej nga ish-kryeministri Sali Berisha, donte ta shkatërronte godinën dhe të ngrinte godinën e re të Parlamentit.

Plani dështoi në vitin 2013, kur nuk mori miratimin nga qeveria e re, e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama.

Herё pas here ajo ёshtё shndёrruar nё njё subjekt arti, duke ushfrytёzuar pёr evente modeste arti apo festa tё ndryshme.

Piramida e Tiranës, Foto e marrë nga IntoAlbania
Piramida e Tiranës në periudhën kohore të ndërtimit të saj

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore