Lajme

Vdekja e dy personave në Pejë nga vërshimet – Prokuroria nis hetimet


Vërshimet e 24 qershorit në Komunën e Pejës.

Prokuroria Themelore e Pejës, ka nisur veprimet hetimore për vdekjen e dy personave në Pejë nga vërshimet mbrëmjen e 24 qershorit.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Ai ka sqaruar se këto hetime po zhvillohet për të kuptuar se kush ka “përgjegjësi penale”.

“Prokurori i rastit e ka autorizuar Policinë që të mbledhë të gjitha provat lidhur me rastin. Jemi në pritje të raporteve, të cilat përcaktojnë nëse ka përgjegjësi penale dhe kush ka përgjegjësi penale”.

Ndërsa pas përfundimit të hetimeve ai ka informuar se do të dalin me detaje për rastin.

“Shumë shpejt do të dalim edhe me njoftim zyrtar se çka kemi arritur të sigurojmë deri në këtë fazë”, deklaroi Nikçi për AP.

Në nderim të viktimave që kanë humbur jetën të shtunën në Pejë si pasojë e vërshimeve, Komuna e Pejës kishte vendosur që ditën e hënë ta shpallë ditë zie.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media.

Në këtë komunikatë sqarohej se të gjitha angazhimet e planifikuar për ditën e hënë ishin pezulluar.

Një prokurore e krimeve të rënda nga Prokuroria e Pejës kishte dalur në vend të ngjarjes ku humbën jetën nënë e bir dhe ishin lënduar dy persona si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

“Prokurorja e krimeve të rënda bashkë me hetuesit policorë edhe sot ka dal në vend të ngjarjes për të parë nga afër edhe njëherë vendin e ngjarjes. Për fat të keq, një fëmijë dhe një grua kanë humbur jetën nga përmbytjet”, tha për Albanian Post zëdhënësi i kësaj prokurorie Shkodran Nikçi.

Në anën tjetër, Milaim Ademaj, familjar i viktimave, kishte deklaruar se nga vërshimet një pjesë e kodrës ka rrëshqitur duke e zënë kështu djalin pesëvjeçar.

Ai kishte treguar se nënën e pesë vjeçarit pas shumë kërkimeve e kanë gjetur në një bodrum në një shtëpi, derisa ka theksuar se në rrezik kanë qenë edhe dy fëmijë të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore