Kosova

Ursula von der Leyen: Serbia duhet të bashkëpunojë, dialogu me Kosovën e vetmja rrugë


Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është shprehur se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është mundësia më e mirë për ta zgjidhur situatën e krijuar në Veri me targat.

Von der Leyen këtë e ka thënë pas takimit në Beograd me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministren serbe, Ana Bërnabiç.

“Po ashtu kyçe është që të përdoret dialogu i ndërmjetësuar nga BE që të gjendet zgjidhje e qëndrueshme për situatën aktuale me Kosovën”, është shprehur Von der Leyen në Twitter.

Ajo tutje ka thënë se Serbia duhet të bëjë progres në mënyrë që t’i bashkohet BE-së dhe se s’ka rrugë tjetër përveç bashkëpunimit.

“Lavdërova hapat e marrë në reformat për rend e ligj. Po ashtu progresi i mëtejmë është i rëndësishëm në mënyrë që Serbia ta bashkohet në BE”.

“Bashkëpunimi është rruga e vetme”, ka shkruar ajo.

Bisedimet në Bruksel janë duke vazhduar me të dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak dhe delegacionit serb të udhëhequr nga Petar Petkoviç.

Kjo pasi që pas takimit të një dite më parë nuk u arrit marrëveshja në mes të Prishtinës dhe Beogradit për draft dokumentin i cili parasheh zgjidhjen e çështjes së targave të automjeteve.

Marrëveshja sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës të ngarkuar me dialog, Besnik Bislimi përmban tri elemente.

Pika 1: “Të shtunën e dy tetorit, forcat e KFOR-it “do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës”.

Pika 2: “Në mëngjesin e katër tetorit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër”.

Pika 3: “Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe”.

Bislimi gjithashtu ka veçuar se e vetmja pikë ku delegacioni serb nuk ka dhënë pëlqimin, para se marrëveshja të quhet e finalizuar, ishte pjesa ku ka të bëjë me targat “KM”.

Targat e përkohshme RKS –  Pika kufitare Jarinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore