Lajme

Me çka u pajtua Qeveria e Kosovës në Bruksel?


Ilustrim

Kosova ka pranuar në Bruksel që të zëvendësojë njësinë speciale të Kosovës me KFOR-in dhe në pikat kufitare të vendosen trupat paqeruajtëse.

Gjithashtu, delegacioni negociues u pajtua që tabelat me “KM” që janë targa të Serbisë për pjesën Veriore të Kosovës, t’i pranojë brenda territorit në veri me një ngjitës.

Njëjtë ka pranuar edhe tabelat e Serbisë me këtë ngjitës.

Por, as me gjithë këto, nuk është pajtuar Serbia, madje kanë refuzuar të deklarohen për media kur kanë përfunduar takimin me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Marrëveshja sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës të ngarkuar me dialog, Besnik Bislimi përmban tri elemente.

Pika 1: “Të shtunën e dy tetorit, forcat e KFOR-it “do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës”.

Pika 2: “Në mëngjesin e katër tetorit do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër”.

Pika 3: “Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe”.

Bislimi gjithashtu ka veçuar se e vetmja pikë ku delegacioni serb nuk ka dhënë pëlqimin, para se marrëveshja të quhet e finalizuar, ishte pjesa ku ka të bëjë me targat “KM”.

“E vetmja pikë ku Serbia ende nuk e ka dhënë pëlqimin ka të bëjë me targat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat, kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegal të tabelave kështu që edhe ata do të kishin të njëjtin sistem për aq kohë sa lëvizin në veri, ndërkaq në jug do të konfiskoheshin”, ka thënë Bislimi.

Zevendëskryeministri i Kosovës i ngarkuar për dialog, Besnik Bislimi në Bruksel

BE: Negociatat vazhdojnë

Ndërsa zëdhënësi për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë së Bashkimit Evropian, Peter Stano, gjithashtu ka deklaruar se takimi mes dy delegacioneve në Bruksel, nuk ka përfunduar ende.

“Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Bruksel nuk ka përfunduar, negociatat vazhdojnë për gjetjen e një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës”, ka shkruar ai.

Bashkimi Evropian

SHBA: Palët të jenë fleksibile për gjetjen e një zgjidhje

Ambasadori i SHBA-ve në Beograd, Anthony Godfrey dhe i ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe kanë reaguar rreth proceit të bisedimeve në Bruksel duke thënë se negociatat ende po vazhdojnë dhe se është bërë përparim, por se ende ka punë për tu bërë, duke lënë për të kuptuar se diçka nuk ka shkuar siç duhet.

Godfrey ka bërë me dije se është në kontakt me Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, i cili aktualisht është në Bruksel.

“Sot jam në kontakt të ngushtë me mikun tim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Gabriel Escobar, i cili është në Bruksel për të treguar mbështetje për dialogun e udhëhequr nga BE. Kjo punë nuk është e plotë, por është bërë përparim i mirë. Palët duhet të jenë fleksibile dhe të vazhdojmë të punojmë për të arritur këtë qëllim. Tani është koha”, ka shkruar Godfrey.

Ndërsa Giacobbe, ka thënë se inkurajojnë palët që të angazhohen edhe më tej për një zgjidhje.

“Pavarësisht raportimeve në media, negociatat në Bruksel vazhdojnë. Është bërë përparim, mbetet ende punë. Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen hapur dhe seriozisht”, ka thënë ai.

Departamenti Amerikan i Shtetit

Por si filloi e gjithë kjo?

Në orët e hershme të mëngjesit të së hënës së 20 shtatorit, Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Speciale Operative është vendosur në pikë kalimet kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Jarinje dhe Bërnjak, për të filluar reciprocitetin e targave.

Tabelat e përkohshme RKS-Jarinje

Të gjitha veturat që deri më tani kanë pasur targa të Serbisë, duhet t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse duan të qarkullojnë brenda territorit të Kosovës.

Mirëpo, pas vendosjes së masave të reciprocitetit, qindra qytetarë serbë u grumbulluan afër pikave kufitare në Veri, në Jarinje dhe Brnjak, duke bllokuar rrugët me kamionë dhe me zhavor, për të ndërpre tërsishtë qarkulimin e automjeteve në drejtim të pikave kufitare, por edhe duke bllokuar Njesinë Speciale të Policisë si protestë ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Protesta e serbëve ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat-Bllokimi i rrugës në Jarinje

Protestuesit serb filluan të marrin përkrahjen nga Serbia, duke mbështetur ata me deklarata të forta dhe me kërcënime direkte për luftë ndaj Kosovës.

Regjimi serb në Beograd menjëherë aktivizoi të gjithë institucionet e sigurisë, duke u infiltruar edhe brenda në protestë, madje duke mbajtur protestën aktive vetëm nëpërmjet agjenturave të saja.

Nga ana tjetër, Serbia shkeli territorin e Kosovës me anë të helikopterëve luftarak dhe provokoi edhe me avion luftarak MIG-29, duke shkelur Marrëveshjen e Kumanovës së vitit 1999 me NATO-n dhe duke i bërë kërënime serioze edhe vet Aleancës Veri-Atlantike.

Gjithashtu, si pjesë të kërcënimeve, nisi për në kufirin e Kosovës një divizion të tankeve nga qyteza e Rashkës.

Për brenda Kosovës, nëpërmjet Listës Serbe aktivizoi kërkesën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë duke bërë kusht për tërheqje nga barrikada.

“Mirësevini në Asociacionin e Komunave Serbe”

Situata thuajse dergoi në një krizë, dhe si rezultat i ngjarjeve dinamike, Bashkimi Evropian thirri në një takim urgjent delegacionet e të dy vendeve, që të ulën në bisedime dhe të gjejnë një marrëveshje për de-eskalim të situatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore