Lajme

Uran Ismaili, kandidat i PDK-së për Prishtinën


Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka shpallur kandidaturën e tij për Kryetar të Prishtinës.

Ismaili ka thënë se po i futet kësaj gare në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, për t’ia kthyer Prishtinën qytetarëve.

“Unë, si ju e si çdo qytetar i Prishtinës, e njoh qytetin tim, ia njoh ëndrrat, energjinë e paçliruar dhe potencialin që e ka ky qytet për jetë. E di që na kanë humbë shumë kohë, por jo edhe shpresën se mund ta fitojmë betejën për një Prishtinë të mirë e funksionale”, ka thënë Ismajli gjatë fjalimit të tij.

Ismaili tregoi se në 100 ditët e ardhshme do ta shpalosë programin për Prishtinën dhe do të dëgjojë secilin qytetar, pavarësisht përcaktimit partiak, duke shtuar tri gjërat që nuk do t’i bëjë asnjëherë.

“Nuk do ta bëjë Prishtinën edhe një arenë tjetër për betejë politike e për parti. Per mua identiteti më i rëndësishëm është Prishtina. Kjo është ajo që ka rëndësi. Nuk do ta përdor komunën për t’i shërbyer çfardo interesi politik, personal apo partiak mbi interesin e qytetarëve të Prishtinës. Nuk do ta përdor komunën për t’i shërbyer ndonjë interesi biznesi kundër interesit të qytetarëve të Prishtinës”, ka thënë ai.

Ndërkaq, përveç PDK-së, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re i kanë shpallur kandidaturat e tyre.

Arkitekti Përparim Rama, është kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për kryetar të Prishtinës.

Po ashtu, edhe ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, e ka shpallur kandidaturën e tij për ta udhëhequr Prishtinën.

Ndërkaq, nga radhët e AKR-së, garës për kryetar të Prishtinës i është futur Selim Pacolli, i cili aktualisht është nënkryetar i kësaj komune.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore