Lajme

Ukraina do mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit – E shqetëson ndihma ruse ndaj separatistëve


Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka bërë me dije nëpërmjet një postimi në Twitter, se ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit, në bazë të shqetësimeve që Kievi ka mbi kërkesën e ndihmës që separatistët pro rusë kanë kërkuar dhe asistencën që Moska është e gatshme t’u ofrojë.

“Kemi kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit”, shkruan Kuleba. “Apeli i okupatorëve rusë në Donetsk dhe Luhansk për t’u asistuar ushtarakisht, e cënon dhe përshkallëzon më tej situatën e sigurisë në Ukrainë”.

Sakaq, në bazë të informacioneve të fundit, Vladimir Putin ka dërguar rreth 300 automjete të forcave speciale të njohura si “GRU Spetsnaz” – ndër më famëkeqet në botë.

Pritet ende një vendim nga Këshilli i Sigurimit, prë mbledhjen e radhës.

Ndërsa, ushtarakisht, SHBA-të kanë bërë me dije tashmë se nuk do të ndërhyjnë në Ukrainë. Kjo gjë është konfirmuar nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë. Teksa, britanikët, duken më të prirur të ndihmojnë me personel ushtarak.

Separatistët duan ndihmë

Udhëheqësit e dy rajoneve separatiste në Ukrainën lindore i kanë kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin, ndihmë “për të sprapsur agresionin nga ushtria ukrainase”.

Kremlini zyrtar thotë se Republika Popullore e Donetsk-ut dhe Republika Popullore e Luhansk-ut kanë kërkuar ndërhyrjen ruse për të shmangur viktimat në mesin e popullatës civile dhe një katastrofë humanitare në Donbas.

Kjo bëhet e ditur nga Agjencia Ruse e Lajmeve.

Ekspertët kanë thënë më herët se kjo është kërkesa që mund të shërbejë si pretekst për ndërhyrjen ushtarake ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore