Shqipëria

Uji në Kukës është i pastër, siguron kryebashkiaku Gjici


Kanë dalë rezultatet e ujit në Kukës dhe rezulton se nuk kanë përmbajtje bakteriologjike. Lajmi është bërë i ditur nga vetë kryetari i Bashkisë Kukës Safet Gjici, i cili tha se bazuar në analizat e kryera nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP),  “uji është i pastër”.

“Uji është brenda standardeve kjo edhe nga analizat e ardhura nga ISHP, nga sot kemi të gjitha analizat e të gjithë Kukësin dhe lagjen Muja në Shtiqen që vërtetojnë që uji është i pastër, nuk  ka patur helmim të qytetarëve nga uji”.

Ai i bëri thirrje qytetarëve që ta konsumojnë ujin sepse nuk është i ndotur , por “uji është i pastër me te gjitha parametrat bakteriologjike, fizio-kimike sipas ligjit”.

“Garantojmë se uji i pijshëm me të cilët furnizohen nga ujësjellësi i Kukësit është i pastër”, siguri Gjici.

Kryebashkiaku gjithashtu bëri me dije se ka nisur furnizimi me ujë edhe në zonën e lagjes Muja të Shtiqnit, ku nisi shqetësimi nga banorët se uji ka qenë i ndotur.

Analiza e ujit u bë pasi, javën e kaluar disa dhjetëra qytetarë të Kukësit u paraqitën në spital me shenja helmimi.

Mjekët menjëherë dyshuan se helmimi ka ardhur nga përdorimi i ujit në fshatin Shtiqan, i cili rezultonte i turbullt.

Nga ky shkas, ditën e djeshme Policia e Kukësit të nisë hetimet së bashku me specialistët e fushës.

Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Policisë morën kontakt me specialistët e ujësjellësit të cilët kishin dijeni për ndotjen, dhe më pas kanë shkuar në Spitalin Rajonal Kukës, ku kanë konstatuar një numër të lartë personash nga disa fshatra, të cilët janë paraqitur me simptoma helmimi.

“Grupi hetimor i ngritur së bashku me specialistët e ISHSH Kukës, ka marrë mostra të ujit tek depoja qendrore dhe në banesat e qytetarëve në të cilat ka pasur ndotje uji, me qëllim përcaktimin e shkaqeve të ndotjes”, shkruhet në njoftim.

Më tej, u morën edhe deklarimet nga mjekët, të cilët nuk kanë njoftuar organet e rendit për rastin e pazakontë në Kukës.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore