Shqipëria

U raportua për vetëvrasje, 50-vjeçarja në Fier u vra nga bashkëshorti


50-vjeçarja nga Fieri, e cila fillimisht në orët e para të mëngjesit u raportua që kishte vrarë veten, nga hetimet e prokurorisë rezultoi se në të vërtetë ishte bashkëshorti ai që e kreu aktin.

Përpara trupës mësohet se ai ka thënë se për shkaqe xhelozie e ka goditur bashkëshorten e tij me thikë në trup disa herë.

Shtetasja V. M., nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra. Ishte bashkëshorti ai që njoftoi Policinë se kishte gjetur gruan e tij të vdekur.

Në njoftimin e Policisë theksohej se nga provat e grumbulluara, deklarimet e marra, këqyrjes së trupit të viktimës nga eksperti mjeko-ligjor dhe veprimet e mëtejshme hetimore të kryera nga grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë Fier, rezultoi se shtetasi P. M., bashkëshorti i viktimës, për motive të dobëta ka goditur me thikë shtetasen V. M., e cila për pasojë ka gjetur vdekjen.

Në bazë të hetimeve të thelluara, i vendosur përballë provave të adminstruara, ai ka pranuar autorësinë dhe motivin e ngjarjes.

Në vijim të veprimeve, Policia e Fierit arrestoi në flagrancë për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, 56-vjeçarin.

U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (thikë), me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen.

Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore