Lajme

Turqi: Termocentrali në zjarr, gazetarët “në terr”


Pas lajmit që zjarri në zonën e Milas-it në Turqi, po avanconte drejt zonave të banuara dhe për më tepër drejt termocentralit, u bë evakuimi i gjithë zonës.

Por, gazetarëve nuk u lejohet hyrja për në zonë dhe kjo është njoftuar nga mediat lokale të premten e 6 gushtit.

Fotoreporteri i “Agence France Presse” (AFP), Yasin Akgül, deklaroi se xhandarmëria kishte kërkuar akreditimet.

Në Turqi ka debate të vazhdueshme në lidhje me tentativën e censurës së Këshillit të Radios dhe Televizionit (RTÜK) mbi lajmet në lidhje me zjarret.

Disa gazetarë donin të mbulonin situatën e fundit përreth Termocentralit Kemerköy në rrethin Milas të goditur nga zjarri në Mugla.

Duke folur për incidentin në Buletinin Kryesor të Lajmeve FOX, reporterja Gülşan İnce ndau informacionin e mëposhtëm:

“Për ditë të tëra, ne kishim raportuar për flakët që po afroheshin pranë termocentralit Kemerköy. Por, tani, ne jemi pothuajse 2 kilometra larg tij. Sepse, sot, në pikat e kontrollit të xhandarmërisë, ne u përballëm me një pengesë akreditimi që kishim vështirësi mirëkuptim”.

Gjithashtu, gazetari Mirgün Cabas gjithashtu ka reaguar mbi çështjen në Twitter.

“Zona përreth termocentralit u bllokua nga xhandarmëria në mëngjes. Ata nuk lanë askënd të kalojë, përfshirë shtypin. Pastaj, bllokimi u lehtësua, por vetëm për disa media”, ka shkruar Cabas në Twitter.

Sipas asaj që deklaron Yasin Akgül, mediat pro-qeveritare “A Haber”, “CNN Türk”, Agjencia Shtetërore Anadolu (AA) dhe transmetuesi shtetëror TRT ishin në listën e xhandarmërisë.

Këshilli i Shtypit ka konfirmuar qëndrimin diskriminues me të cilin përballen gazetarët. Këshilli ka njoftuar se ekipet si Fox TV, Halk TV dhe Reuters nuk u lejuan të hyjnë në zonën ku ministrat do të bënin një deklaratë për zjarrin.

Ajo ka shtuar se gazetarët nuk janë lejuar nga xhandarmëria me urdhër të Ministrisë së Brendshme.

“Kjo është hapur në shkelje të lirisë së shprehjes dhe shtypit, e cila garantohet nga Kushtetuta dhe ligjet tona”, ka theksuar Këshilli.

Termocentrali

Një termocentral, në provincën jugperëndimore Mugla të Turqisë, u evakuua pasi një zjarr i madh arriti në skajin e tij.

Sipas autoriteteve lokale, zjarri ka arritur në perimetrin e Termocentralit Kemerkoy, në rrethin Turkevleri.

Përpjekjet e trupave turke për të shuar zjarrin janë penguar nga erërat e forta në rajon.

I gjithë personeli u evakuua nga uzina. Gjithashtu, edhe materialet e ndezshme dhe shpërthyese janë larguar.

Çisterna uji dhe kamionë zjarrfikësish janë vendosur në fabrikë, në rast se zjarri përhapet më tej drejt ndërtesës kryesore.

Një ekip i agjencisë së lajmeve AFP (Agence France Presse) pa zjarrfikës, makina policie në zonë dhe vendasit që po iknin nga vendi i ngjarjes.

Kjo, ndërsa flakët e fuqishme u përplasën në skajet e stacionit të energjisë pranë qytetit Milas.

Më herët, zyrtarët u shprehën se rezervuarët e hidrogjenit, të përdorur për të ftohur stacionin, ishin zbrazur dhe mbushur me ujë si masë paraprake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore