Lajme

Zjarri i afrohet termocentralit në Turqi, evakuohet zona


Një termocentral, në provincën jugperëndimore Mugla të Turqisë, është evakuuar pasi një zjarr i madh ka arritur në skajin e tij.

Sipas autoriteteve lokale, zjarri ka arritur në perimetrin e Termocentralit Kemerkoy, në rrethin Turkevleri.

Përpjekjet e trupave turke për të shuar zjarrin janë penguar nga erërat e forta në rajon.

I gjithë personeli është evakuuar nga uzina. Gjithashtu, edhe materialet e ndezshme dhe shpërthyese janë larguar.

Çisterna uji dhe kamionë zjarrfikësish janë vendosur në fabrikë, në rast se zjarri përhapet më tej drejt ndërtesës kryesore.

Një ekip i agjencisë së lajmeve AFP (Agence France Presse) pa zjarrfikës, makina policie në zonë dhe vendasit që po iknin nga vendi i ngjarjes.

Kjo, ndërsa flakët e fuqishme u përplasën në skajet e stacionit të energjisë pranë qytetit Milas.

Më herët, zyrtarët u shprehën se rezervuarët e hidrogjenit, të përdorur për të ftohur stacionin, ishin zbrazur dhe mbushur me ujë si masë paraprake.

Fabrika funksionon duke përdorur qymyr dhe mazut, thanë zyrtarët për AFP-në.

Imazhet e postuara nga kryetari i Bashkisë së Milas, Muhammet Tokat, treguan një zjarr të furishëm që ngrihej në portat e uzinës.

Zjarri arriti fabrikën në javën e dytë të zjarreve historike, për shkak të të cilëve kanë humbur jetën tetë persona dhe janë shkatërruar zona të mëdha të pyjeve.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, po jepte një intervistë televizive drejtpërdrejt kur filloi evakuimi i uzinës.

“Termocentrali po përballet me rrezikun e djegjes”, tha Erdogan.

Ai u shpreh se ka pasur një erë të jashtëzakonshme.

Erdogan tha se 51 helikopterë dhe 20 aeroplanë janë angazhuar në operacionet për të shuar zjarret pyjorë në vend, pasi 187 zjarre shpërthyen në tetë ditët e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore