Kosova

Policia kërkon nga vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale ndalimin e Enver Sekiraqës


Enver Sekiraqa. Foto nga arkivi.

Policia e Kosovës, ka njoftuar se tashmë janë ndërmarrë të gjitha masat për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare ndaj Enver Sekiraqës – i dënuar për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar Policia e Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit”.

Nga policia, Sekiraqa nuk është gjetur në vendbanimin e tij tash e tri ditë.

“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e policisë për AP.

Pas mosgjetjes së tij në vendbanim, policia ka thënë se i ka informuar organet e drejtësisë.

“Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njëjti nuk është hasur në shtëpi”.

Të shtunën, Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se Enver Sekiraqa tash e dy ditë nuk është gjetur në shtëpinë e tij.

Nga Policia e Kosovës kishin njoftuar se kishin marrë urdhër nga Gjykata e Apelit për të sjellë Sekiraqën në paraburgim, pasi që të njëjtit i ishte ndryshuar masa e sigurisë.

Gjykata Themelore e Prishtinës, më 3 maj e ka dënuar me 25 vjet burgim Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Sekiraqës i ishte ndërprerë edhe masa e arrestit shtëpiak.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vjetësh.

Megjithatë, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Polici Triumf Riza, u vra me armë zjarri më 30 gusht 2007 me të dalë nga një lokal në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Për vrasjen e tij ishte dënuar Arben Berisha, i cili ka pranuar se ka shtënë në drejtim të Rizës.

Këtij incidenti, siç thonë nga Prokuroria, i kanë paraprirë një seri incidentesh, ku më i voni ishte incidenti në “Swiss Casino” në dhjetor 2006.

Në incidentin në “Swiss Casino”, ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër.

Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore