Përballje

Tirana mposht Erzenin, shkëlqen Hasani me tre gola


Tirana shënoi fitore me rezultat 3:1 ndaj Erzenit në ndeshjen e javës së 27-të në Superligën e Shqipërisë.

Protagonist absolut në këtë ndeshje ishte Florent Hasani që shënoi tre gola për kampionët në fuqi të Shqipërisë, kështu duke e ndarë kreun e renditjes me Partizanin me nga 47 pikë (Partizani kryeson për shkak të avantazhit në ndeshjet direkte).

Pjesa e parë nuk dhuroi gola, teksa spektakli ishte rezervuar për pjesën e dytë.

Ishte pikërisht Hasani që e zhbllokoi sfidën, vetëm tre minuta pasi filloi pjesa e dytë.

Erzeni reagoi dhe riktheu baraspeshën falë golit të Enck në minutën e 72-të. Braziliani kërceu më lart se të gjithë dhe shënoi një gol të bukur me kokë.

Megjithatë, festa e mysafirëve zgjati fare pak pasi tre minuta më vonë, Hasani riktheu bardheblutë e Orges Shehit në avantazh.

26-vjeçari nga Vushtrria gjeti edhe golin e tretë personal në minutën e fundit. Hasani kryeson i vetëm renditjen e golashënuesve në Superiore me 14 gola të shënuara.

Fundi i kësaj ndeshjeje solli edhe përfundimin e fazës së tretë në Abissnet Superiore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore