Sport

Tifozët ukrainas kthejnë flamurin rus përmbys për të fyer Putinin – Boshnjakët mendojnë se është flamuri serb dhe i sulmojnë


Ngjarja është e 17 nëntorit 2021, por konteksti është më aktual se kurrë edhe tre muaj pas ndodhisë.

Gjithë dinamikat e politikave në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore, mund të shpjegohen fare thjeshtë me një rast episodik, gjatë një ndeshje futbolli.

Gjullurdia qe e madhe në tribunën e vogël prapa porte – tipike për stadiumet ballkanike dhe evropiano-lindore – saqë u desh ndërhyrja e personelit të stadiumit e Policisë për ta ndaluar.

Ironia e fatit dhe konteksti historik, e do që Serbia dhe Rusia, të kenë flamuj të ngjashëm në ngjyra, por jo në radhitjen e tyre. Po ashtu, nuk duhet harruar se flamuri serb, shënjohet edhe nga shqiponjë me dy kokë në mes të tij.

Por, me sa duket, tifozët boshnjakë në tribunë, e kanë aq të thellë urrjejten ndaj fqinjëve, sa që “i ka verbuar” e nuk ia kanë njohur as flamurin.

Flamuri serb dhe ai rus

Po e njëjta ironi fati, e do që ashtu si ukrainasit me rusët të jenë në një konflikt të hapur, ashtu edhe boshnjakët me serbët.

Në rastin e barë, rreziku është jashtë kufiri, me prani shumë të madhe ushtarake në fqinjësi. Në të dytin, rreziku është nga brenda, me një lider serb të presidencës trinomëshe boshnjake, i cili do të shkëpusë atë që njihet si Republika Srpska, e t’i bashkohet “shtetit amë” të Serbisë.

Në tre muaj, asgjë nuk ka ndryshuar, madje gjërat janë përkeqësuar në rrafshin diplomatik. Ndoshta, mund të themi se tifozët janë me fat që ndeshja është zhvilluar në nëntor, e incidenti përfundoi pa të lënduar.

Por, rrënjosja e konflikteve shumëvjeçare, nuk e lë dot jashtë as sportin apolitik.

Një kthim së prapthi i flamurit dhe lufta është aty, gati për të shpërthyer.

Sido ta kthesh e rrotullosh situatën, çështja përfundon në konflikt. Kudo!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore