Lajme

Tianjin i Kinës do të testojë 14 milionë banorët pas shpërthimit të virusit


Një qytet i madh kinez, Tianjin, ka nisur testimin masiv të 14 milionë banorëve të vet pasi një grup prej 20 fëmijëve dhe të rriturve rezultuan pozitivë me COVID-19.

Dy prej tyre rezultuan me variantin e ri Omicron.

Sipas agjencisë “The Guardian”, të infektuarit përfshijnë 15 nxënës të moshës nga tetë deri në 13 vjeç, një anëtar të stafit dhe katër prindër.

Dhe se testimi i nisur të dielën e 9 janarit në mbarë qytetin pritet të përfundojë brenda dy ditësh.

Dy rastet e para të konfirmuara ishin një vajzë 10-vjeçare dhe një grua 29-vjeçare që punonte në një qendër pas shkollës dhe të dyja ishin të infektuara nga varianti Omicron.

Në testimin pasues të kontakteve të ngushta, 18 të tjerë rezultuan pozitivë dhe 767 rezultuan negativë që nga nata e së shtunës.

Pas kësaj, banorët janë këshilluar të qëndrojnë në shtëpi për të qenë të disponueshëm për ekzaminimin e acidit nukleik në nivel komuniteti.

Atyre u është thënë se derisa të marrin një rezultat negativ të testit, nuk do të marrin një kod “të gjelbër” në aplikacionet e gjurmimit të COVID-it në telefonat e tyre.

Tanimë, në Kinë njerëzit duhet ta paraqesin këtë kod për të përdorur transportin publik.

Vendi e ka rritur strategjinë e tolerancës zero COVID-19 në prag të Lojërave Olimpike Dimërore, të cilat hapen më katër shkurt në Pekin.

Pekini, kryeqyteti kinez, është 150 kilometra në veri-perëndim të Tianjin dhe i lidhur me të me një lidhje hekurudhore me shpejtësi të lartë që zgjat më pak se një orë.

Prandaj dhe afërsia e qytetit me Pekinin ka nxitur autoritetet të marrin masat e nevojshme të parandalimit të përhapjes së virusit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore