Lajme

Teodoroviç: Vuçiç e di që Kosova është humbur, por luan rolin e “shpëtimtarit”


Dushan Teodoroviç

Akademiku serb, Dushan Teodoroviç, në një intervistë për median opozitare serbe Danas, është shprehur këtë të shtune se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e di që Kosova është humbur, por “për shkak të vlerësimit të tij politik nuk guxon të dalë para popullit dhe të thotë – e humbëm Kosovën në luftën e 1999-s”.

“Vuçiç e kupton mirë që Kosova ka humbur, por për shkak të pikave politike vazhdon të luajë rolin e liderit shpirtëror të serbëve, në të njëjtën kohë fshehtas dhe gjysmë fshehtas është duke kryer pjesërisht atë që ka rënë dakord me bashkësinë ndërkombëtare”, tha ai.

Tutje, profesori universitar serb beson se për Serbinë është humbje kohe dhe i kushton “çdo vit, çdo muaj, çdo ditë dhe çdo minutë që Aleksandër Vuçiç është në pushtet”, dhe tha se me Kosovën ai nuk është i interesuar që t’i zgjidhë problemet.

“Është e qartë se në pikëpamjen e tij, s’ka vullnet politik për t’i zgjidhur problemet në raportet në mes të Beogradit dhe Prishtinës në mënyrën e duhur. Gjatë pushtetit të tij autokrat, Kosova mori Zyrën e Prokurorit, gjykatat, Policinë, pasaportat, zyrat postare, telekomunikimin, doganat, industrinë e energjisë dhe regjistrimin e veturave, por ai ende arrin ta paraqesë veten para një pjese të madhe të paarsimuarve dhe trupit votues nacionalist, si mbrojtës i Kosovës me disa vija të kuqe”, ka potencuar ai.

Po ashtu, Teodoroviç akuzoi presidentin serb për gjendjen në raport me marrëdhëniet me Kosovën dhe për të gjithë situatën e krijuar aty.

“Pasojat e vendimeve të tij të njëanshme tashmë janë rreth nesh. Qoftë edhe për tensionet e vazhdueshme në Kosovë. Situata aktuale në Kosovë, pa dyshim, është rezultat i vendimeve të njëanshme të një njeriu narcisit dhe arrogant, i cili për arsye të panjohura për mua i caktoi vetes një rol mesianik (shpëtimtari)”, deklaroi akademiku serb.

Ndërkaq, akademiku serb vlerësoi se politika e Vuçiç-it për Serbinë “është politikë e humbjes së kohës, vrasjes dhe gënjeshtrave për të qëndruar sa më gjatë në pushtet”.

“Vendi ka njëzet miliardë euro më shumë borxh se para ardhjes së Vuçiç-it në pushtet. Në Serbi mbretëron Putinofilia (adhurimi për presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin), e cila vazhdon të ushqehet çdo ditë nga programet e turpshme në televizionet e kontrolluara nga shteti”.

“Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe që nuk i ka dënuar krimet e luftës”, theksoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore